“Çamëria provoi spastrimin etnik, krim që nxin me të gjitha ngjyrat e zeza të krimit, një krim dhe spastrim etnik klasik.. Të heshtësh për një krim, gati-gati je bashkëpunëtor i tij”
Ishte viti 1994 kur Parlamenti i shqipërisë miratoi një memorandum për të shpallur 27 qershorin si ditën e që dita e 27 qershorit të shpallet në kalendarin kombëtar si dita e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë nga shovinizmi grek. Në atë memorandum u vendos gjtihashtu që të ngrihej një memorial në Konispol, pranë trojeve martire të Çamërisë. Ishte një vendim që erdhi pas një diskutimi në komisionet parlamentare me inisiativëne disa deputetëve të mazhorancës së at’hershmë të PD-së.
Në seancën kur u miratua memorandumi pati diskutime të shumta nga deputetë të kuvendit të cilët mbështetën memorandumin dhe folën gjtihashtu për masakrën ndaj popullsisë së Çamërisë. Një ndër ta ishte edhe deputeti Sadik Bejko. Më poshtë botohet fjalimi i Bejkos në parlamentin e vitit 1994.
Sadik Bejko 30 qershor. 1994
Për masakrat duhet folur thjesht dhe rëndë, si në ditët kur përkujtojmë zitë dhe gjëmat kombëtare. Të flasësh për këtë, nuk do të thotë të flasësh për nacionalizëm. Për mua atdhetarizmi dhe nacionalizmi janë dy gjëra krejt të ndryshme. Shqipëria ka një hartë, një gjeografi masakrash dhe spastrimesh që e rrethojnë në të katër anët, në të gjithë kufijtë e saj. Ajo duhet të ketë dhe librat e masakrave dhe memorialët e tyre.
Shfarosja është e nxitur me luftërat, djegiet, uritë, në përhapjen e sëmundjeve masive si murtaja, janë masakra të vjetra dhe të reja si ajo e Manastirit, e Tivarit, e Nishit, e Çamërisë etj. Masakrat janë prirë nga një luftë e kulturës, e osmanizmit, e serbizimit, e konvertimit malazez dhe e helenizimit. Ka një shkencë të tërë shqiptarvrasëse. Janë shkencëtarë me memorandume, me libra të trashë, ka klerikë që e kanë përdorur fenë në shërbim të asimilimit, pastaj bandat e gjakatarëve xhelatë, deri edhe tek ushtritë pushtuese shfarosëse.
Kufijtë tanë mbajnë erën e hirit dhe të mishit të djegur për së gjalli të njeriut. Jemi një komb ende i përçarë në pesë shtete. Në këtë kuptim, masakra çame e 27 qershorit 1944 është e kuadruar në tragjedinë e lashte të shqiptarëve, veçse ajo ishte në vazhdën e shumë masakrave. Çamët provuan dëbime, madje edhe këmbimet, andallagjitë. Pastaj, Çamëria, së fundi provoi tragjedinë më të zezë, spastrimin etnik, është një krim që nxin me të gjitha ngjyrat e zeza të krimit, një krim dhe spastrim etnik klasik, në atë frymë që solli Lufta e Dytë Botërore me filozofinë fashiste për zhdukjen e racave, për djegien për së gjalli, asgjësimin absolut të racave që nuk i duam. Një zgjerim i tillë i kufijve me asgjësimin përfundimtar të një kulture tjetër, nuk mund të mbulohet me atë se çamët paskan qenë bashkëpunëtorë të fashizmit. Të kryesh veprën e fashistëve dhe të akuzosh viktimën se ishte fashiste, po pleqtë, po fëmijët, po fëmijët e pa lindur, që u nxorën nga barku i nënave, fashistë ishin? Kjo është një vepër e fqinjëve tanë. Ne shqiptarët çfarë bëmë? Ata që ishin në pushtet deri dje heshtën, u dhanë një strehë refugjatëve çamë u morën pasuritë dhe heshtën. Të heshtësh për një krim, gati-gati je bashkëpunëtor i tij. Krerët çamë të Luftës së Dytë u eliminuan, pastaj gjyqet për çamët që u akuzuan si spiunë të Greqisë, pastaj edhe nxitje si thënia “çam i pabesë”. Që të harrohej krimi duhej nxirë njeriu çam. Kudo çamët mbetën pa një atdhe, edhe në Greqi, edhe në Shqipëri ata u quajtën njëlloj “të pabesë”, pra u bënë shërbimin më të mirë atyre që i vranë dhe i masakruan. Çamët nga komunistët shqiptarë u vranë për së dyti, pra ata heshtën, ata i justifikuan dhe i dhanë të drejtë masakruesve, kështu ishin më të qetë, askush nuk fliste dhe problemi çam nga komunistët u shua.
Te ne është thënë dhe thuhet se ne dimë të bashkëjetojmë me pakicat.
Shqiptarët thuhet, janë fisnikë, nuk bëjnë asnjë sulm, asnjë pogrom ndaj pakicave, ata nuk kanë sulmuar asnjë njeri. Por sot, disa nga intelektualët minoritarë në Jug po thonë se kjo mënyrë të thëni është poezi, nuk është histori. Nuk keni sulmuar se nuk jeni të aftë për një gjë të tillë, na thonë. Duke mënjanuar provokimin nga këto fjalë, na del se fisnikëria dhe bujaria po na merren për dobësi, dobësi se në Shqipëri ata u edukuan, gjer dje në Shqipëri u thoshin “me nder Kiço”, nuk i qasnin as në qytete, as në Gjirokastër. Në Shqipëri, megjithatë, u krijua inteligjenca e minoritetit, piktorët, muzikantët, administratat, deputetët, deri edhe në ministri pati minoritarë. Ata jetuan më mirë se shqiptarët, nga argatë të përbuzur, krijuan shtresën e tyre të intelektualëve, që historikisht në Shqipëri nuk e kanë pasur kurrë dhe disa nga këta intelektualë sot kanë ngritur veshët, në vend që të jenë mirënjohës për atë status dinjiteti dhe qytetarie që u dha Shqipëria, dhe po ua jep, sipas aftësive të tyre, ndërsa disa nga ata e quajnë, një dobësi të shqiptarëve. Të jetë kjo një psikologji e ish-rajave, që i gjykojnë gjërat me kutin e vet? Në vend që t’i bëjnë një shërbim të mirë intelektual të fqinjësisë së mirë midis dy popujve, midis dy qeverive, t’i bëjnë një shërbim të mirë bashkëpunimit midis shqiptarëve e minoritarëve, në kundërshtim me opinionin e gjithë minoritarëve që janë për një ekzistencë multikulturore, dalin këta intelektualë deri me kërkesa irredentiste, duke u institucionalizuar sipas thirrjeve të radio Korfuzit apo radio Konicës. Me një psikologji të tillë nga ana e tyre, as që mund të mendohet që ata të prononcohen ndonjëherë për problemin çam. Protokollit të Firences ata i kundërvënë Protokollin e Korfuzit. Ideologjia e tyre është bërë literatura e dhespotit antishqiptar, Sebastianos.
Ndonëse këto nuk i deklarojnë hapur, në biseda, në kafene, në rrugë apo tjetërkund i dëgjon rregullisht në Gjirokastër, madje dhe nga punonjës partie. Një mendim i tillë të duket aq kontrovers, saqë mbetesh i befasuar kur bisedon me intelektualë të vërtetë të njohur grekë, siç është dhespoti i Janinës, që iu kundërvu hapur ideve të intelektualëve tanë minoritarë.
Marr shkas për të thënë se ne na duhet punë për të stabilizuar një opinion dezinformues dhe krejt të çekuilibruar, ndonjëherë si pasojë e një konteksti dhe një propagande të ethshme që bëhet sot në Jug. Çdo shqiptar nga Jugu, pavarësisht nga çdo besim që ka dhe nga gjuha që flet, opinioni i thjeshtë grek i edukuar nga kisha, shkolla, nga enciklopedia greke i thotë “ti je grek, por të kanë shqiptarizuar turqit” dhe kjo është një bindje e ngulët te greku i thjeshtë. Madje në Gjirokastër, për festat e pashkëve dhe për krishtlindjet meshohet dhe shërbehet vetëm greqisht, me klerikë të ardhur nga jashtë.
Në katedralen e Aleksandër Nevskit në Sofje gjen në përmasa gati natyrale ikonën e Shën Nikodemit me mbishkrimin shenjtor shqiptar, kurse në Jug proklamohet se ortodoksia në Shqipëri për arsye politike filloi me Fan Nolin. Dihet se në kalendarin e kishës ortodokse ka shumë shenjtorë e patriarkë shqiptarë. Ortodoksia shqiptare ka traditën e vet të martirizimit, po njerëzit tanë pak dinë për këtë. Historia e kishës është më parë pjesë e kulturës shpirtërore shqiptare sa edhe pjesë e historisë së saj politike, po për këtë specialistët duhet të punojnë.
Historianët thonë se edhe Kozmai i Etolisë që Ali Pashë Tepelena e quante plaku Kozma, ishte arbëresh dhe dinte shqip.
Marr shkas për ta përshëndetur memorialin për masakrën çame, por dua të shtoj diçka: monumenti i Ismail Qemalit ndodhet në Vlorë, i Bajram Currit në Tropojë, diktatura Tiranën dhe sheshet e saj i ruante për të përjetësuar veten. Të kuptohemi, le ta ketë Vlora Ismail Qemalin, Shkodra Gurakuqin, Tropoja Bajram Currin, Tepelena Selam Musanë, Gjirokastra Çerçiz Topullin, Korça Gramenon dhe Gërmenjin, por mendoj se Tirana si qendra shpirtërore dhe administrative e Shqipërisë, duhet të ketë një kompleks monumental të vetin. Ky monument të ngrihet ndoshta në shëtitoren “Dëshmorët e Kombit” diku pas monumentit të Skënderbeut, aty të jetë edhe Skënderbeu, edhe Hasan Prishtina, edhe plaku i Butkës, edhe Ded Gjo Luli i Traboinit, etj., çdo krahinë e Shqipërisë në qendër të Shqipërisë të ketë kapedanin dhe burrin e vet të shquar, le të jetë në mes të këtij qarku skulpturor një pishtar gjithmonë i ndezur që njerëzit, kur të vijnë nga rrethet të nderojnë me kurora të përditshme heroizmin shqiptar, pjesë e të cilit është edhe kapedani i krahinës së vet. Derisa shumë vende në botë i kanë, edhe ne duhet ta kemi.
Edhe këtu në Parlament le të jenë burrat e shquar të Shqipërisë, derisa në parlamentin evropian kanë Adenauerin, De Golin, De Gasperin dhe të gjithë ata që i quajnë lazarët e Evropës. Le të jetë në Tiranë, siç është sheshi i Frashërllinjve, edhe sheshi i Fishtës, i Pjetër Bogdanit të Hasit, i De Radës, i Nolit, i Konicës dhe i gjithë udhëheqësve të shenjtë shpirtërorë nga e gjithë Shqipëria.
Le të jenë memorialët e gjithë betejave dhe masakrave të Shqipërisë, njeriu le të meditojë për masakrimin, por edhe për heroizmin shqiptar.