Në një vizitës së tij zyrtare në Finlandë, Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, u prit në takime të veçanta nga Ministri i Jashtëm i Finlandës, Timo Soini.
Meta dhe Soini ndanë bindjen se bashkëpunimi mes dy vendeve duhet intensifikuar, veçanërisht në drejtim të shkëmbimeve ekonomike.
Meta shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Finlandës ndaj integrimit evropian të Shqipërisë dhe nënvizoi përkushtimin e Kuvendit në interes të dialogut politik dhe avancimit cilësor të reformave kyçe, siç është ajo e sistemit të drejtësisë.
Ministri i Jashtëm i Finlandës u shpreh se Finlanda e mbështet Shqipërinë në rrugëtimin e saj evropian dhe theksoi se forcimi i sundimit të ligjit në të gjithë vendet e Ballkanit i shërben gjithë Evropës.
Në përfundim, Meta dhe Soini biseduan edhe mbi zhvillimet e fundit në rajon duke theksuar rëndësinë e mbarëvajtjes së stabilitetit dhe perspektivës evropiane të të gjithë vendeve të Ballkanit Perëndimor ku Shqipëria luan një rol kyç.