“Vdiq Umberto Eco, do të na mungojë vështrimi i tij mbi botën”, me këtë titull gazeta italiane La Repubblica i bën homazh një prej mendjeve më të ndritura të shekullit XX dhe XXI, i cili u nda nga jeta dje në darkë në moshën 84 vjeçare. Vital dhe i angazhuar deri në ditën e fundit të jetës Umberto Eco me kohë i kishte kapërcyer muret e Italisë, vendit të tij të lindjes, por dhe të Europës për tu bërë i njohur edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Filozof, shkrimtar, semiolog dhe një nga ekspertët më të mëdhenj të komunikimit, Eco ka lënë gjurmë të forta në këto fusha. Vetëm pak muaj më parë ai nxorri në dritë romanin e tij të fundit “Viti Zero” që i kushtohet gazetarisë dhe problemeve të saj. Në Shqipëri ai është i njohur me romanin “Emri i Trëndafilit”, ndërsa studentët e shkencave të komunikimit janë të njohur me tezat e tij në librin “Si të shkruash një Temë Diplome”, një udhëzues praktik për shkrimin akademik.
Eco së fundmi bëri bujë në media me komentet e tij mbi rrjetet sociale duke thënë se “ato i kanë dhënë zë edhe budallenjve”./27.al/