Pas grabitjes së 980 mijë eurove në Aeroportin “Nënë Tereza”, Policia e Shtetit ka gjetur një sasi parash që dyshohet se u morën teksa po trasportoheshin për në avion.
Për këtë ngjarje është shpallur në kërkim ndërkombëtar, Aleks Pepa, i cili u identifikua nga provat shkencore, si shoferi i automjetit që çau rrethimin e Rinasit.
Në banesën e një të afërmi të 42-vjeçarit në qytetin e Elbasanit janë gjetur 50 mijë euro të pajustifikuara.
Sasia e parave do t’i nënshtrohet verifikimeve në bashkëpunim me bankën që iu vodhën. Burimet thonë se pas gjetjes së parave, në Elbasan ka qenë i pranishëm edhe zv.drejtori i Përgjithshëm për Krimet e Rënda, Ardian Çipa.
42-vjeçari Aleks Pepa, i cili rezulton të jetë larguar nga Shqipëria pak kohë pas grabitjes, cilësohet si personi kyç për zbulimin e autorëve të tjerë, të cilët mesditën e 30 qershorit të vitit të kaluar realizuan grabitjen e paprecedentë.