Kryeministri Edi Rama së bashku me ministrin e Financave, Arben Ahmetaj kanë prezantuar sot programin e projektit 1 miliardë dollarësh.
Kreu i qeverisë tha se ky projekt lidhet drejtëpërdrejtë me publikun, pasi ka të bëjë me rritjen e punësimit, ndërtimin e shkollave dhe spitaleve dhe përmirësimin e infrastrukturës rrugore.
Si pjesë të programit ekonomik, Rama foli për investime konkrete si rruga e Arbrit, një spital ekselence dhe 10 qendra ekselence në Fier.
Kreu i ekzekutivit u shpreh se ky projekt synon “…të adresojë disa probleme të rëndësishme të infrastrukturës rrugore nacionale, të adresojë po ashtu nevojën për të përmirësuar ndjeshëm infrastrukturën e zonave turistike dhe të financojë përmirësimin e infrastrukturës në zonat me zhvillim intensive bujqësor”.
Sipas Ramës investimi prej 1 milardë dollarësh garanton që “..mos kemi asnjë luhatje në planin për uljen e borxhit dhe mbajtjen nën kontroll të defiçitit si dhe do të garantojë punësim pasi bëhet fjalë për qindra kantiere të hapura.”