Nga Pranvera Berati
Elbasani, qyteti i traditës kësaj here na hap dyert e artizanatit. Artizanati, kjo mjeshtëri artistike duket se merr formë në duart e kovaçit Shahin Kurti. Zhurma e çekiçit në kudhër na e shton më shumë kureshtjen për të dëgjuar historinë e kalitur në të. Përshëndesim ustain dhe dëgjojmë historikun zotit Kurti, i cili ka plot 35 vjet që e ushtron këtë zanat të trashëguar nga stërgjyshërit e tij. Kovaçania e tij ndodhet në një rrugicë tipike elbasanase, përballë shkollës së muzikës “Onufri”. Në moshën 15 vjeçare me ndihmën e gjyshit të tij, ai kaliti për herë të parë sqeparin e mjaftoi ai çast për ta dashuruar, përvetësuar e për ta shndërruar në mjeshtrin që është sot. Në muret e kovaçanes shohim sëpata, kazma, lata, sqeparë, të cilat kanë kaluar nëpërmjet një sërë procesesh si: kalitje, kallaisje e saldim, mjete këto që i kanë ardhur në ndihmë dhe janë të pavdekshme për bujqësinë dhe ndërtimtarinë. Një tipar dallues që e dallon zotin Shahin nga kovaçët e tjerë është teknika, teknikë kjo e vështirë për t’u arritur. Megjithatë në punishten e tij nuk mungon kasa fiskale, pavarësisht përfitimit ekonomik shumë të pakët. Përpos zhvillime të shpejta të teknologjisë dhe ritmit të shpejtë jetësor familja Kurti e ka ruajtur traditën famijare artizanale, kovaçane, ku sot e zotëron edhe djali i tij. Mjeshtri fik zjarrin, mbyll qepenat e largohet me shpresën që të nesërmen zjarri do të ndizet, qepenat do të hapen dhe ky zanat s’do t’i humbasë kurrë gjurmët e tij.
/levizjarinoreegjiptianerome.wordpress.com/