Prej disa javësh, Bashkia e Tiranës po monitoron ndotjen e ajrit në ditë të zakonshme me trafik, por dhe në ditët e pushimit,krahasuar me një javë më parë, këtë javë ndotja e ajrit ka rënë me 10%; nga 63 µg/m³ në 59.38 µg/m³.
Sipas të dhënave të marra nga stacioni i lëvizshëm i pozicionuar pranë Bashkisë së Tiranës, rezulton se vetëm dy elementë kanë tejkalim të vlerave të monitoruara: më konkretisht, për treguesin e PM10 dhe për NO2, të dy ndotës që shkaktohen nga trafiku dhe shkarkimet e makinave, ndërsa gjithë parametrat e tjerë të monitoruar për këtë periudhë janë brenda normës së lejuar të BE.
Për PM10, vlera mesatare e monitoruar është 59.38 µg/m³ nga 40 µg/m³ që është norma vjetore e BE, pra kemi tejkalim të standardit vjetor të BE në masën 48.45 %.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj vazhdimisht u ka bërë apel qytetarëve që të kufizojnë përdorimin e automjeteve, ndërsa ka nisur projektin për ndërtimin e 10 km korsi të dedikuara për biçikletat, një mundësi kjo për të ulur më tej ndotjen në kryeqytet.