Nga Artan Fuga
I duan komisionet në qendrat e votimit, sepse duan të manipulojnë votat?
Po, sigurisht! Por, kaq është shumë pak. Çfarë tregon sociologjia e këtyre komisioneve shumë më tepër sesa kaq?
Aty përqendrohet pabesia e forcave politike ndaj njëra-tjetrës. Pabesia përmbi besën e shqiptarit që i këndojmë me lahutë, çifteli dhe gajde.
Aty ngjizet militanti, i cili pasi bën krimet elektorale, është gati të bëjë pastaj çdo gjë që ia kërkon bosi politik.
Aty militanti nis të ngjisë shkallët e karrierës, sepse e ka të bazuar atë te besnikëria në manipulimet e votave.
Aty takohen dhe bëhen solidarë, njihen me njëri-tjetrin tre personazhet që shkatërruan Shqipërinë: i forti i lagjes dhe i katundit, pisnesmeni që bën tregti me paret e politikanit, militanti që dëshiron të bëhet nëpunës për ta bërë qytetarin shërbëtor të tij.
Këta janë tre maskarenjtë e Shqipërisë së sotme. Demaskoni këta dhe keni çjerrë maskën së keqes, keni shpëtuar veten tuaj ose çiliminjtë tuaj që nuk ju a kanë për borxh të vuajnë, sepse ju jeni gjumashë, frikacakë, bullafiqë.
Aty dallohen pisnemenët e partisë që do të privilegjohen me tendera dhe bisnesmenët kundërshtarë që do të falimentohen.
Aty përqendrohet gjithë Shqipëria e këtyre viteve.
A do të ndryshohet?
Unë ende kam edhe një fije shpresë këtë herë. Përndryshe, duhet të vijë NATO ta ndryshojë ose zoti Trump.
A mund të ndryshohet? Po, ka njëqind mundësi. Mjafton të pyesin dhe e kanë gati zgjidhjen.
A është zgjidhje zëvëndësimi i anëtarit të komisionit me një robot idiot si votim elektronik? Jo.
Pse?
Sepse, nuk ka gjë më të lehtë sesa të manipulosh robotin.