Nga Taulant Dedja
Nuk kisha dëgjuar të flitej për Meshan Çinin deri ditën kur teksa bisedoja me disa nga të afërmit e mi këtu në Toronto, më treguan për një libër i cili u kishte lënë një mbresë të veçantë. Libri titullohej “Bukuria fatale” me autor gazetarin Rifat Dajti.
Është romani i jetës së një gruaje të jashtëzakonshme, të cilën as kalvari i vuajtjeve nën diktaturën komuniste as pesha e më shumë se 85 viteve nuk ja kanë ndryshuar aspak forcën e karakterit dhe dashurinë për jetën. Dhe ma dha këtë profil që në momentin e parë, kur rastësia e solli që ta takoj.
Sapo i thashë se leximi i librit më kish bërë të kuptoja sadopak se sa kishte vuajtur, mbeta krejt i befasuar nga përgjigja e saj : «Eh, s`ka gjë, ashtu ishte sistemi». Nuk munda t`i rezistoja tundimit pë të shkruar për këtë grua të rrallë ndaj dhe ju luta të rezervojë pak kohë për të biseduar së bashku.
I ulur në një tavolinë përballë saj në një kafe diku pranë kryqëzimit Eglinton me Kipling në Etobicoke, nis e dëgjoj një rrëfim sa rrënqethës aq edhe prekës. Rrëfim në të cilin mbizotëron qetësia dhe logjika e ftohtë. Mahnitëse. Asnjë grimë urrejtje në sytë e saj. Vetëm fisnikëri dhe butësi. Gati e pabesueshme kur mendon se në moshën 24 vjeçare është thinjur brenda një nate për shkak të persekutimit dhe dhunës psikologjike që ka përjetuar në burg.
Ajo nis e më tregon për familjen delvinjote me tradita patriotike nga e cila rrjedh, familje e përmendur për kontributin e saj edhe në librin «Historia e Shqipërisë», botim i Akademisë së Shkencave. Familjes së saj, në ato kohë me rreth 4000 ha tokë në zotërim, i ishte vënë emri nga bashkëvendasit «bukë e fukarasë» per arsye të bujarisë që tregonte ndaj te varfërve. Meshan Çini kalon një fëmijëri të bukur, gati si në përrallë.
Prindërit, e në veçanti nëna, i transmetojnë asaj krenarinë, karakterin e fortë dhe të papërkulur ndaj vështirësive si dhe virtytin e thjeshtësisë. «Ishte ndoshta instikti i nënës që parandjente se do të përballeshim me shumë të papritura në një të ardhme të afërt që e shtynte ta bënte këtë» – shton ajo.
Në moshën 18 vjeç, në Shqipërinë e pas luftës ku ish vendosur diktatura, ajo fejohet me Selman Ndreun, pronar i Hotel Kontinentalit në Tiranë dhe pjestar i familjes së njohur patriote dibrane të Cen Elezit dhe Elez Isufit. Arrestimi i të fejuarit të saj pas 8 muajve fejesë përmbys njëherë e përgjithmonë endrrat rinore të vajzës me bukuri të rrallë. Aty nis dhe kalvari i vuajtjeve që zgjatën gati 4 dekada.
Megjithë presionet e zyrtarëve të kohës, ajo nuk pranon ta lërë të fejuarin i cili më vonë do të vdesë në burg ku ajo shkonte ta takonte. Vazhdimi imagjinohet lehtë. Sajohet një akuzë, ndërtohet një skenar e më pas vjen zbatimi. Meshan Çini arrestohet e kalon 11 vjet në burgjet dhe kampet e diktaturës nga ku del me një vesh të shurdhuar dhe me një operacion hesteroktomie të provokuar nga netët e ftohta të kaluara në qeli.
Teksa kujton ato vite, ajo më thotë pa hezitim që edhe nga ata që punonin nëpër burgje kishte plot njerëz të mirë. Gati të gjithë sipas saj kanë vuajtur nën atë sistem në një menyrë apo në një tjetër, çka i bënte dhe njerëzit të ishin më shumë solidarë. Por ndoshta «burgu» jashtë burgut ka qenë më i fortë dhe i padurueshëm për të.
Shpesh është ndeshur me përbuzjen, të qënit pa shtëpi dhe ecejaket nga një qytet në tjetrin për shkak të mungesës së atij që në ato kohë quhej pashaportizim. Ka pëballuar jetesën në kushte të padurueshme, papunësinë dhe vetminë. Një betejë e përditshme që zgjati 28 vjet të tjera, betejë të cilës ajo i rezistoi si askush, në emër të dashurisë për jetën dhe Edlirën, vajzën të cilën e adoptoi dhe ju përkushtua.
Në shkurt të vitit 1991, në moshën 63 vjeçare, bashkë me vajzën ajo kalon kufirin në këmbë duke lënë prapa atdheun me halle për të shkuar drejt një ëndrre për një jetë më të mirë dhe më të sigurt. «Rënien e monumentit të diktatorit e përjetova në Greqi – kujton ajo – teksa prisja të më dilnin dokumentat për në Kanada, per t’u takuar me vëllain, Duron, të cilin nuk e kisha parë prej 45 vjetësh». Ka qenë një nga çastet më të bukura të jetës së saj. Ndoshta dhe më i bukur se dita e lirimit nga burgu sepse atë ditë u liruan nga vargonjtë e totalitarizmit të gjithë shqiptarët.
«Sot jam e bekuar nga zoti me shumë të mira dhe ndihem e plotësuar. Kam një mjedis dhe një shoqëri të mrekullueshme – shton Meshan Çini duke buzëqeshur ëmbël si gjithnjë e me sytë plot dritë. «Jam e rrethuar nga dashuria e vajzës time dhe Edvinit, bashkëshortit të saj të përkushtuar dhe nga dy nipat binjakë Klaudio dhe Albi. Jetoj në një vend të lirë dhe më të mirin në botë për emigrantët. E falenderoj Kanadanë per çka më ka dhënë mua dhe familjes time». Me rastin e përvjetorit të saj të 85-të ajo ka marrë edhe përshendetjet e veçanta nga autoritetet më të larta te shtetit kanadez si dhe një çmim special nga Shoqata e Bashkësisë Shqiptaro-Kanadeze të Torontos.
Teksa biseda i drejtohet fundit unë e pyes atë për virtytet njerëzore të cilat ajo vlerëson më shumë. Pa u menduar ajo më përgjigjet : edukata e shëndoshë, krenaria, karakteri i fortë dhe mirënjohja. Fjalët që sapo dëgjoj më bejnë të kuptoj se cili ka qenë motivi që e ka bërë këtë grua të rrallë t’i rezistojë një jete të pazakontë plot mundime. E pra, një shpirt i pastër, fisnik, i drejtë dhe me karakter të fortë, arrin të mbijetojë dhe gjen forca në çdo rrethanë duke arritur të shndërrohet në simbol tolerance e mirësie, pavarësisht vuajtjeve të përjetuara pa të drejtë në kushtet e një sistemi totalitar. «Kapiteni i mirë duket në furtunë», më thotë gruaja flokëbardhë që vetëm buzëqesh. «Jam e lumtur që pas një furtune shumëvjeçare jam përsëri këtu e nderuar dhe e respektuar», përfundon ajo. Ndahem me të me një perqafim prej nëne dhe djali të sigurt se do të takohemi dhe do të flasim përsëri…
/shqiptaret.info/