nga Erneta Shevroja
Familjarët e katër viktimave të 21 Janarit kërkojnë drejtësi për jetët e humbura të njerëzve të tyre 6 vite më parë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”
Ky ishte reagimi i tyre një ditë pasi qeveria me një vendim akordoi 160 milionë lekë për tre familje që i ishin drejtuar Gjykatës Administrative, ku ata kishin paditur Gardën e Republikës. Kjo gjykatë i dha të drejtë familjes së viktimës Hekuran Deda, Ziver Veizi dhe Faik Myrtaj, duke rrëzuar pretendimet e Gardës që e hiqte përgjegjësinë nga vetja, duke ia deleguar Policisë së Shtetit.
Në një reagim ditën e djeshme, Mark Nika, njëri prej familjarëve më të angazhuar sa i përket asaj ngjarjeje, thotë se shuma që akordoi qeveria është një detyrim nga gjykata dhe jo një veprim i qeverisë. Familja e Aleks Nikës nuk është pjesë e këtij dëmshpërblimi, pasi dosja ende nuk është zbardhur dhe nuk njihet statusi i viktimës. Por pavarësisht kësaj, xhaxhai i viktimës, Mark Nika, thotë se qeveria nuk mund të justifikohet me këtë dëmshpërblim për tre familjet e tjera për heshtjen dhe zvarritjen e zbardhjes së asaj ngjarjeje, që këtë 21 Janar do të shënojë 6 vjet.
“Çështja e familjes sonë nuk ka mbaruar. Sa i përket dëmshpërblimit, unë besoj se është procedura e tillë dhe nuk besoj se justifikohet qeveria me heshtjen”, thotë Nika në një prononcim për gazetën. Në vijim, Nika thotë se ia kanë bërë të qartë qeverisë së majtë se kërkesa e familjarëve të 4 viktimave është të dënohen organizatorët dhe vrasësit. Ai shprehet se vendosja e drejtësisë do të vijojë të jetë prioritet dhe jo paratë.
“Ata (qeveria) e dinë që jo 1 milion por të japësh edhe pasurinë e një kombi nuk lahet ajo që ka ndodhur. Unë e kam thënë gjithmonë, ne prioritet kemi dënimin e autorëve që kanë qëlluar dhe lanë pa jetë 4 njerëz. Ne presim hetimin e çështjes, dënimin e atyre vrasjeve, zvarritjet janë të gjata. Nuk janë problem paratë, ato mund të vijnë edhe pas 10-20 vjetësh, ne duam të dënohen organizatorët dhe autorët e vrasjeve”, theksoi xhaxhai i viktimës Aleks Nika.
Pritshmëritë
Bashkëshortja e viktimës Ziver Veizi, Alma Veizi, shprehet se çdo gjë që ka të bëjë me gjykatat është e vonuar, siç është edhe dhënia e dëmshpërblimit nga qeveria. Zonja Veizi nuk do të shprehet shumë për dëmshpërblimin sesa për atë që ajo pret nga drejtësia.
“Çdo gjë që bëhet tek ne, që është në gjykata, e vonuar është por gjithsesi shpresa na ka mbajtur në këmbë dhe ajo na mban akoma. Ne presim që të nxirren autorët dhe të dënohen, këtë ia kemi lënë avokatit dhe ai përgjigjët”, u shpreh ajo në një prononcim për gazetën. Edhe pse kanë kaluar 6 vjet dhe dosja e 21 Janarit është mbyllur përfundimisht nga Gjykata e Lartë, zonja Veizi nuk ka humbur besimin që ajo dosje të rihapet edhe një herë. “Po, ne ende shpresojmë që autorët do të dënohen. Ajo do të jetë frymëmarrja jonë, dënimi i autorëve”, nënvizon zonja Veizi. Familja e Ziver Veizit i është drejtuar Gjykatës së Strasburgut për rihapjen e dosjes.
“Ne do të shkojmë të bëjmë homazhe dhe familja ime respekton çdo njeri që merr pjesë në përkujtimin e 21 janarit, si nga politika ashtu edhe njerëz të tjerë. Në këtë pikë, nuk kam se çfarë të themi më, gjërat janë parë, janë të dukshme. Kërkesat tona do të jenë deri sa të vendoset drejtësia, ne nuk do të humbasim shpresat. I jemi drejtuar Gjykatës së Strasburgut për rihapjen e çështjes”, u shpreh ajo.