Cetkoviç është fantazia e munguar në një skuadër gjithmonë fizike, ndërkohë që Starova tani i ka të gjitha rolet e dubluara.
Nga Saimir Demi
Partizani ka bërë një paraqitje të shkëlqyer ndaj Kabalës, në miqësoren e dytë të zhvilluar gjatë fazës përgatitore në Turqi dhe mbi të gjitha, tashmë ka më shumë se një arsye që stafi teknik të shfaqet entuziast. Fillimisht, ky ishte një test i vërtetë force, pasi skuadra azere sapo është liruar nga faza e grupeve të Europa League dhe ka një buxhet prej 10 milionë e gjysëm euro. Por, më e rëndësishme është që po rindërtohet organika e nënkampionëve të Shqipërisë, të cilët po operojnë në mënyrën më të mirë të mundshme në merkaton e janarit, duke i dubluar të gjitha pozicionet. Kështu, duke përjashtuar portierin Alban Hoxha dhe sulmuesin Kaleb Ekuban, ku i fundit tashmë gjithmonë i pranishëm në apel si njeriu-gol, të tjerët do të vuajnë një konkurencë të egër. Edhe Starova do të jetë i detyruar ta modifikojë skemën e tij, pasi pritet që ganezi nga Verona të mos jetë i vetëm në majën e sulmit, por të ketë partner Bonifejs, i cili i dha shenjat e para, megjithëse nuk është ende në 100 % të kondicionit të tij fizik. Pas tyre do të ketë më shumë fantazi, gjë që i ka munguar Partizanit në sezonet e fundit. Malazezi Cetkoviç, një njohës i mirë i kampionatit shqiptar, tregoi ndaj Kabalës se në Sarajevë nuk ka qëndruar indiferent, madje në të kundërt, transferimi i tij ishte një goditje shumë inteligjente. Ndërkohë që këtij grupi të frikshëm sulmues i duhet shtuar Xhevahir Sukaj. Shkodrani ka humbur peshën e tepërt dhe i duhet vetëm të rifillojë të bëjë goleadorin, gjë që e ka profesion prej vitesh, si dhe Mazrekaj, i cili po merr gradialisht minutat e munguara.
Bardhi dhe Fili kanë bindur se janë asete të vyera të Partizanit, për të qenë së shpejti titullarë me uniformën e kuqe, ose për të mbushur arkën e klubit në një periudhë më serioze merkatoje. Dhe për këtë arsye është vendosur që të tërhiqen nga merkato, qoftë edhe për t’u huazuar deri në fund të këtij edicioni. Ndoshta kjo formulë mund të funksionojë për Jaupajn, një tjetër talent i Akademisë që la mbresa në miqësoren e fundit. Por, 15 herë kampionët e vendit po përgatisin edhe një supergoditje të fundit, përpara skadimit të kohës së merkatos së dimrit. Partizani i ka bërë një ofertë futbollistit të përfaqësuses së Maqedonisë, Agim Ibrahimi, i cili nesër pritet të ndërpresë bashkëpunimin me milionerët e Astanës në kampionatin kazak. Flitet për një mesfushor të djathtë, që nëse mbërrin në Tiranë do ta rrezikonte vendin, fiks të Emiliano Vilës. Edhe në repartin e mbrojtjes janë shtuar ndjeshëm alternativat, megjithëse Partizani, në 15 ndeshje të luajtura në kampionat ka pësuar vetëm 5 gola. Në krahun e majtë është i gatshëm edhe 20 vjeçari Enis Hakaj, i mbërritur në verë nga Vllaznia, i cili në miqësoret me Fenerbahçenë dhe Kabalën, e ka ndarë minutazhin me Kalarin. Në krahun tjetër, Labinot Ibrahimi duhet t’i bëjë llogaritë me Fejzullahun, i rikuperuar tashmë plotësisht pas një dëmtimi relativisht të gjatë. Gjithashtu, në një kohë rekord është përshtatur me skuadrën e tij të re edhe Kristi Marku, i sapo mbërritur nga Flamurtari, një qendër e majtë, vetëm 21 vjeç, i cili ka filluar ta cënojë qetësinë e Atandës, por ndoshta edhe të Krasniqit. Pra, nëse flitet me superlativa për këtë Partizan, nuk është e rastësishme. Me t’u kthyer nga Antalia, ku të hënën do të zhvillojë edhe miqësoren e fundit me një tjetër Kabala, atë U-21, ka gjasa që të shohim përfundimin e një ndërtimi të kushtueshëm. Ndërsa drejtuesit e Partizanit po bëhen gati të ndryshojnë edhe objektivat, duke synuar fazën e grupeve në pjesmarrjen e ardhshme europiane.