Ditët e para të vitit të ri po duken si ditë jo të zakonshme. Pa dalë mirë nga gjendja e dehjes tradicionale, njerëzve ju duket sikur janë zgjuar jo në një vit tjetër, por në një epokë dhe vend tjetër. Nëpër ekrane titrat e kuqe ja lënë vendin njëra tjetrës, duke ndjellë diçka të keqe.
Si zakonisht politikanët i marrin frerët në dorë (jo vetëm të pushtetit) dhe dy pikat pas emrit të tyre pasohen nga paralajmërime të kobshme për një situatë që i ka shokuar të gjithë. Mbyllni shkollat, sepse po vjen acari siberian. Mos dilni piknik në mal se temperaturat do shkojnë nën zero. Keni kujdes fqinjët. Pini lëngje. Kufizoni lëvizjet, ose mbani zinxhirë me vete. Pini sa më shumë lëngje. Keni pirë? Pini përsëri! Shmanguni prej njerëzve të tjerë. Kujdes këtu! Kujdes aty!
Çfarë dreqin po ndodh? Grip ka rënë gjithmonë. Në dimër është ftohtë dhe bie gripi – këtë e dimë të gjithë.
Mos duan të na shesin prapë ato vaksinat e gripit? Jo, jo. Thonë që janë falas. Falas? Epo kur janë falas gjërat në Shqipëri janë pak problem, se me shumë të drejtë infermierja mund të të thotë “u mbaruan” nëse nuk i fut ndonj lek në atë xhepin e bardhë, që qëndron gjithmonë si gojë e hapur drejt pacientëve. Më mirë të shiten edhe njerëzit ta dinë sa të paguajnë, se ka mundësi që vaksinat falas të kthehen në një lloj ankandi me të ardhura të konsiderueshme.
Më pas kur fillon largohet dehja dhe njerëzit duan t’u kthehen ditëve normale, vijnë edhe statistikat e para, kuptohet, me titra të kuqe: 19.000 persona nën kthetrat e gripit, 4 të vdekur prej gripit, 100 persona në ditë shtrohen në Senatorium prej gripit… Vazhdon pak më vonë: Dëbora arrin 80 – 120 cm në male dhe 10 -20 cm në qytete. Priten temperatura të acarta natën e sotme deri në -20 gradë Celsius. Kujdes! Kujdes! Kujdes!
Epo Dimër është. Do bjerë deborë, nuk jemi në korrik. Normale që temperaturat do ulen. Edhe në vitin 2002 si sot ka arritur -11 gradë Celsius, ndërsa në vitin 2008 -7 gradë Celsius. Këtë vit mund të arrijë -12 gradë Celsius. Po pastaj?
Pastaj në lajmet e mesditës në një prej televizioneve që janë pranë qeverisë, si për t’ju dhënë pak zemër njerëzve të trembur, shfaqet një kronikë e titulluar: Punimet për ndërtimin e stadiumit kombëtar, nuk ndërpriten nga moti i acarrtë.
Epo shyqyr, më në fund një shenjë jete. Më në fund një shkëndijë e heronjve të harruar, që na ngrohu disi. Pavarësisht se heronjtë e sotëm janë privatë dhe në vend të përmendoreve marrin tendera, po ky informacion “i ngrohtë” ju duhej shqiptarëve, që të vazhdojnë të jenë të dehur edhe ca ditë, mundësisht deri në ditën e zgjedhjeve, më 18 qershor 2017.
Deri atëherë Dimri do të ketë ikur, por politikanët do gjejnë me siguri informacione të tjera, që do t’i vendosin pas dy pikave në fund të emrit, me titrat e kuqe që i lenë vendin njera tjetrës.