Policia shqiptare dhe Guardia di Finanzas kanë sekuestruar mbrëmjen e djeshme një sasi prej 510 kg marijuanë, ndërsa është arrestuar një person.
Në pranga ka përfunduar një 29 vjeçar shqiptar me iniciale A.M, i cili po transportonte me gomone në një mot shumë të keq në drejtim të Italisë sasinë e lëndës narkotike.
Droga po trafikohej me një gomone 5.5 metra të gjatë.
Policia informon:
Mbrëmjen e djeshme rreth orës 21:00 në Torre Veneri, San Kataldo, provinca e Leçes, Itali, pas shkëmbimit të informacionit me Policinë e Shtetit, Guardia di Finanza e Pulias ka goditur një tentativë për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike.
Me gjithë motin shumë të keq dhe detin me dallgë deri në 7 ballë, trafikanti ka provuar të çajë ‘rrjetën’ e policisë, por ka dështuar. Në bordin e motoskafit të bllokuar, i cili është i gjatë rreth 5.5 metra, Guardia di Finanza sekuestroi rreth 510 kg marijuanë”.
Po vijonë hetimet për identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë trafik lëndësh narkotike.