Një avion ushtarak rus me 91 njerëz në bord u përplas në Detin e Zi. Lajmi është bërë i ditur nga Ministria ruse e Mbrojtjes, e cila tha se avioni u zhduk nga radari 10 minuta pasi u ngrit në fluturim, nga resorti turistik i Soçit.
Gjithashtu Ministria Ruse bën me dije se deri tani nuk është gjetur asnjë i mbijetuar dhe se shpresat që mun të gjenden janë shumë të pakta.
Autoritetet ruse njoftuan gjithashtu se kanë mundur të gjejnë pjesë të avionit në Detin e Zi. Mësohet se avioni “Tupolev 154” po transportonte ushtarakë, anëtarë të orkestrës së famshme ushtarake “Aleksandrov” dhe reporterë.
Në bordin e tij gjendeshin 83 pasagjerë dhe 8 anëtarë ekuipazhi. Avioni po fluturonte drejt qytetit sirian të Latakias. Ai ishte nisur fillimisht nga Moska, por u ul në Soçi për t’u furnizuar me karburant.
Autoritet vendase kanë nisur hetimet për të zbuluar shkakun e rrëzimit të avionit ushtarak.