Kreu i bashkisë Erion Veliaj është shprehur se do të ketë më shumë investime për qytetarët, duke mbajtur fjalën se buxheti 2017 do të ketë një rritje 10%.
“Të dyja janë lajme të mira; buxheti është 10% më i madh, ndërkohë që nuk do të rrisim asnjë taksë, as për biznesin, as për familjet. Parimi është që të menaxhojmë qytetin si një amvisë, ku të gjitha qindarkat shfrytëzohen për të bërë maksimumin me mundësitë që kemi. Mezi pres që Këshilli Bashkiak të miratojë buxhetin e ri, e sigurisht edhe Planin e ri Urbanistik që i hap rrugë zhvillimit, urbanizimit dhe sistemimit të të gjithë nevojave që ka pasur zona në këto vite”, theksoi Veliaj.
Veliaj ishte i pranishëm në nisjen e punimeve për rikualifikimni urban të një tjetër blloku pallatesh në Selitë, i shoqëruar nga deputeti i PS-së Pandeli Majko dhe administratorja e njësisë nr. 5, Violeta Kila.
Veliaj tha se ky investim është një premtim i mbajtur, duke theksuar se nuk ka mënyrë më të mirë për të uruar Vitin e Ri për banorët e zonës se sa me një investim të ri, i cili ka 30 vite që pritej nga qytetarët.