Euralius turpëron Shqipërinë përpara Europës. Tashmë është provuar zyrtarisht se misioni që asiston vendin tonë në konsolidimin e sistemit të drejtësisë është autori i përkthimit të gabuar të ligjit të Vettingu-t që i është dërguar Komisionit të Venecias nga Gjykata Kushtetuese.
Kryetari i Gjykatës, Bashkim Dedja, e ka konfirmuar këtë fakt, ashtu si edhe eksiztencën e pasaktësive në variantin anglisht të ligjit.
Për këtë arsye Gjykata Kushtetuese, e vënë në dijeni nga opozita që pretendon se varianti në anglisht rrëzon të gjithë thelbin e ligjit, u detyrua ta përkthente me ekspertë të tjerë Vettingun dhe t’ia dërgonte sërish Venecias një ditë më parë.
Nuk dihet ende nëse gabimet në përkthim janë bërë me dashje apo kjo është pasojë e paaftësisë së ekspertëve të Euralius. Por ekspertë të njohur të jurisprudencës dyshojnë se përkthimi i gabuar ka qenë i qëllimshëm. Kjo për faktin se Euralius është hartues i ligjit të Vettingut dhe mbështetës i fortë i tij.
Dhe sipas ekspertëve, me tjetërsimin e tekstit në anglisht, ky mision ka synuar që të marrë një përgjigje pozitive nga Komisioni i Venecias, duke e manipuluar këtë institucion me reputacion ndërkombëtar. Kjo tentativë është një akt i rëndë dhe i pa precedent në historinë e Shqipërisë.
Në këtë mënyrë, Euralius, i ftuar që të ndihmojë në reformimin e sistemit të drejtësisë, në vend që ta përmirësojë, e ka nxirë imazhin e Shqipërisë, duke e turpëruar si para Komisionit të Venecias, ashtu edhe në sytë e Bashkimit Europian.
/tvklan.al/