Ligji për hapjen e dosjeve parashikon që edhe kandidatët për deputetë nuk mund të kalojnë në sitën e Autoritetit për hapjen e dosjeve të Sigurimit
Kandidatët për deputetë, si dhe deputetët aktualë nuk mund të verifikohen nga autoriteti për hapjen e dosjeve të Sigurimit të Shtetit. Ligji e ndalon këtë për deputetët dhe kandidatët që do të konkurojnë në zgjedhjet e ardhshme.
Komisioni për Hapjen e Dosjeve është i detyruar me ligj që t’i përgjigjet çdo kërkese të institucioneve kushtetuese dhe autoriteteve publike për verifikimin për lidhje me ish-Sigurimin e Shtetit, për të gjithë kandidatët për t’u emëruar dhe zgjedhur në 26 detyra të rëndësishme, duke nisur që nga Presidenti e deri tek drejtorët, me përjashtim të kandidatëve për deputetë.
Kështu parashikohet në nenin 29 të ligjit për hapjen e dosjeve, ligj i cili pritet të zbatohet me ngritjen e komisionit përgjegjës, dy ditë më parë, nga Kuvendi.
Megjithëse në shumicën e institucioneve të shtetit, duke përjashtuar sistemin e drejtësisë, nuk parashikohet me ligj verifikimi i kandidatëve për lidhje me ish-Sigurimin, si një ndër kushtet për t’u emëruar në funksione të larta, ligji për hapjen e dosjeve e lë të hapur mundësinë për një proces lustracioni.
Por, ligjvënësit shqiptarë, pikërisht ata që kanë miratuar ligjin dhe ngritën dy ditë më parë Komisionin për Hapjen e Dosjeve, e kanë përjashtuar veten nga ky proces, raporton shqiptarja.com.
Në këtë kuadër, asnjë autoritet publik apo privat, nuk mund të marrë informacion nga Autoriteti për Hapjen e Dosjeve, nëse për ndonjë nga kandidatët për deputetë në zgjedhjet e 2017.
Gjithashtu, asnjë autoritet publik apo privat nuk mund t’i drejtohet komisionit për verifikimin e deputetëve aktualë, një pjesë e të cilëve pritet të jenë pjesë e Parlamentin të ardhshëm. Ligji parashikon që, vetëm vetë kandidatët për deputetë mund t’i drejtohen komisionit për verifikim. Neni 26, ja kategoritë që do të verifikohen:
1. President i Republikës
2. Anëtarë të Këshillit të Ministrave
3. Zëvendësministra
4. Funksionarë politikë
5. Anëtarë të trupës së nivelit të lartë drejtues në administratën shtetërore
6. Anëtarë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë
7. Gjyqtarë
8. Prokurorë në gjykatat e prokuroritë e të gjitha niveleve
9. Anëtarë të Gjykatës Kushtetuese;
10. Funksionarë në Forcat e Armatosura, Shtabin e Përgjithshëm
11. Funksionarë në Gardën e Republikës,
12. Oficerë me gradën “Gjeneral” dhe “Kolonel”
13. Prefektë
14. Drejtues dhe punonjës të Shërbimit Informativ Shtetëror
15. Drejtues dhe punonjës të Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes
16. Drejtues në Policinë e Shtetit deri në nivel qarku dhe komisariati
17. Drejtues të përfaqësive diplomatike;
18. Guvernatorë dhe zëvendësguvernatorë të BSH
19. Anëtarë të Akademisë së Shkencave
20. Rektorë,
21. Zëvendësrektorë
22. Dekanë
23. Zëvendësdekanë në universitetet publik
24. Drejtor i Përgjithshëm dhe zëvendësdrejtorë të Radiotelevizionit Publik Shqiptar
25. Drejtor dhe Zëvendësdrejtor i Agjencisë Telegrafike Shqiptare
26. Çdo person tjetër i dekretuar nga Presidenti apo i zgjedhur nga Kuvendi