Deputeti i parë shqiptar në Parlamentin belg, ngre Çështjen Çame në Belgjikë dhe i dërgon letër komisionerit Johanes Hahn: Ndaloni kërcënimet e Kotzias ndaj shqiptarëve.
Amet Gjanaj, deputeti i parë shqiptar në Parlamentin belg, flet për genocidin grek ndaj shqiptarëve të Çamërisë. Në ceremoninë e 60 vjetorit të ardhjes së azilantëve të parë shqiptarë në Belgjikë, është mbajtur një seancë e posaçme në ambientet e Parlamentit belg, organizuar nga Ambasada e Shqipërisë dhe grupi i miqësisë Shqiptaro-Belge brenda këtij Kuvendi. Ligjvënësi shqiptar i Parlamentit të Belgjikës, Amet Gjanaj në fjalën që mbajti ngriti ndër të tjera problemin e mosrespektimit të të drejtave të shqiptarëve në Ballkan dhe foli dhe për genocidin grek ndaj shqiptarëve të Çamërisë.
Muajin e kaluar deputeti shqiptar i Brukselit i dërgoi një letër proteste Komisionerit Hahn për kërcënimet dhe tentativat e intimidimit drejtuar Shqipërisë nga Ministri i jashtëm grek Nikos Kotzias, pas deklaratës së Johannes Hahn për Çështjen Çame si çështje e hapur mes Shqipërisë dhe Greqisë. Grupi i miqësisë shqiptaro-belg në Parlamentin e Belgjikës, ka kërkuar njohjen ndërkombëtarisht të genocidit grek ndaj Çamërisë.
Deklarata e plotë e Amet Gjanajt
Dhe pse ardhja e parë e njohur të shqiptarëve në Belgjikë daton që nga viti 1508, kur Mërkur Bua, pjestar i aristokracisë shqiptare të kohës, luftoi bashkë me 400 Stratiotë kundër Frankëve dhe Dukës së Geldrës në Flandër të Belgjikës;
Dhe pse personaliteti i merituar shqiptar, Faik Konica përzgjodhi Belgjikën si vendbanim të tij në fund të shekullit XIX;
Nuk mund të flasim për formimin e një komuniteti shqiptar në Belgjikë, do të thotë një numër të konsiderueshëm shqiptarësh që instalohen për një kohë të papërcaktuar, vetëm kur nga data e 1 gushtit 1956, data e ardhjes me tren nga kampi i Gerovës në Kroaci të të arratisurëve nga regjimi diktatorial komunist të Enver Hoxhës.
Në vitin 1962, erdhi treni me të arratisurit e tjerë nga Shqipëria komuniste, ku bënin pjesë gjyshërit dhe prindërit e mi. Pasuan shqiptarët e ish-Jugosllavisë (të Kosovës, Maqedonisë, Luginës së Preshevës dhe Malit të Zi) në varësi të represioneve të regjimit të aparteidit mbi popullatën shqiptare, e cila gjendej, në mënyrë krejt të imponuar, nën një pushtim kolonialist.
Dhe më në fund, pas rënies së Murit të Berlinit, në fillim të viteve ’90, do të fillonte vala e ardhjeve të shqiptarëve, për arsye më shumë ekonomike se politike.
Shqiptarët e dinë më mirë se kushdo se dhe pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në 2008 që është e njohur tani më nga 110 shtete të botës, aparteidi godet akoma shqiptarët jashtë Shqipërisë dhe Kosovës, në Maqedoni, në Luginën e Preshevës dhe në Mal të Zi dhe çon akoma sot një numër të konsiderueshëm shqiptarësh në rrugën e mërgimit, teksa konteksti i pritjes ka ndryshuar rrënjësisht.
Në lidhje me sfilitjet e popullit shqiptar në Ballkan, histori shumë e vështirë, nuk mund të lija pa përmendur, për të qenë i plotë në evidentimin dhe përbërjen e komunitetit shqiptar të Belgjikës, dhe pse në një masë më të reduktuar, shqiptarët e veri-lindjes së Greqisë, të njohur si popullata Çame.
Një kërkesë është lançuar nga shumë shoqata për njohjen ndërkombëtare të një genocidi për masakrën greke mbi popullatën Çame në vitin 1913 dhe sidomos në vitin 1944.
Madje kjo çështje është cilësuar si e hapur nga Komisioneri Johannes Hahn në mes Shqipërisë dhe Greqisë.
Një pjesë e të mbijetuarit e këtij genocidit shpëtuan duke kaluar në Shqipëri ose në Turqi përpara se të vinin në Belgjikë.
Nga Turqia erdhën dhe ca shqiptarë, viktimë të emigrimit të dëtyruar nga ish-Jugosllavia në Turqi, që erdhën pastaj në Belgjikë në kuadër të Konventës në mes Turqisë dhe Belgjikës për të furnizuar ekonominë belge me krahët e punës që i mungonin në vitet ‘60 me rritje ekonomike të lartë.
Kështu që komuniteti shqiptar i Belgjikës arrin numrin e konsideruëshëm të mbi 60.000 vetash të shpërndarë në mënyrë gati të barabartë në tre rajonet federative të Belgjikës në Flandër, Valoni dhe Bruksel.
Do të doja të theksoja se mikpritja që u është dhënë shumicës së shqiptarëve në Belgjikë ka përcaktuar nivelin e tyre të integrimit, kjo bën pjesë në të gjitha bisedat që ndodhin në mes shqiptarëve.
Përfshirja e Shqiptarëve në jetën shoqërore belge ishte e kufizuar për shqiptarët e gjeneratave të para, sepse sytë i kishin të drejtuar drejt vendeve të origjinës dhe gati të gjithë mendonin të ktheheshin, kur do binte komunizmi. Aktivitetet e komunitetit organizoheshin në interes të përmirësimit të gjendjes politike në vendet e origjinës. Gjithçka organizohej nga partitë të pozicionuara kundër diktaturës në Shqipëri dhe atyre kundër regjimit të aparteidit në ish-Jugosllavi.
Pas rënies së murit të Berlinit, shqiptarët filluan të përfshiheshin në jetën shoqërore dhe politike të vendit të pritjes. Në ditët e sotit, shoqata promovuese të kulturës shqiptare të mirëfillta themelohen gati përditë duke u munduar të përmirësojnë imazhin, jo përherë të mirë që kanë shqiptarët brenda shoqërisë belge ose të japin një dorë ndihme vëllezërve shqiptarë nga territoret jashtë Shqipërisë dhe Kosovës duke denoncuar shkeljet e të drejtave të tyre në vendet, ku akoma sot diskriminohen.
Komuniteti është i inkurajuar gjithashtu nga perspektivat e çeljes së negociatave për Shqipërinë dhe heqjen e vizave për Kosovën.
Në ditët e sotit shumë shqiptarë përshihen në jetën politike belge duke arritur që të marrrin mbështetjen elektorale jo vetem të anëtarëve të tjerë të komunitetit shqiptar, por dhe të belgëve, për shkak të raporteve të mira plot respekt që zhvillojnë me ta.
Si përmbyllje të fjalës sime, duke dashur t’ia lë vendin të talentuarit Safet Kryemadhit, do të doja të insistoja në dy elemente kyçe për një integrim të suksesshëm që kanë ekzistuar për shumicen e shqiptarëve të ardhur në Belgikë: mikpritja, më pak për botëkuptimin e saj si një ndihmë materiale e financiare se sa për botëkuptimin e saj si shprehje e dashamirësisë afektive që u tregua për gjendjen e shqiptarëve të ekziluar. Madje, do të thoja se ishin mundësitë ekzistuese për t’u punësuar dhe lejen për të punuar që gëzoi shumica e shqiptarëve që ndihmoi fort në integrimin e saj në Belgjikë. Elementi tjetër është liria e mbajtjes së rrënjëve të origjinës dhe kultivimin e tyre në vendin e pritjes që vazhdojnë ta mbajnë të gjallë moralisht këtë komunitet duke i mundësuar atij të luajë një rol pozitiv në këtë shoqëri me shumë respekt.
Në këto kushte ky komunitet do të vazhdojë zhvillimin e vetë në shoqërinë pritëse, e cila është tanimë ajo ku kanë lindur një shumicë të pjestarëve të komunitetit shqiptar të Belgjikës. Megjithatë, dhe për të lindurit në Belgjikë mbajtja e rrënjëve të origjinës vazhdon të jetë e rëndësishme dhe ata dëshirojnë madje që lidhjet me vendin e origjinës të zhvillohen dhe më tej në kuadër të integrimit europian.
Së fundi, do të dëshiroja të shprehja mirënjohjen time të thellë për të parët tanë, një pjesë e të cilëve fatkeqësisht nuk janë më, për rolin e tyre përcaktues në këtë vend që tanimë është dhe i joni.
Ju faleminderit dhe ju përshëndes përzemërsisht.