Banorët e Rrjollit kanë thirrur sot, në orën 10:00, një protestë kombëtare, pasi kantieri ku kompania Gener 2 e oligarkut Bashkim Ulaj, po ndërton një resort turistik është rrethuar me tela dhe mure të larta.
Resorti, i cili po zhvillohet në një sipërfaqe prej 147.2 hektarësh, është kundërshtuar vazhdimisht nga banorët e zonës për shkak të mosmarrëveshjeve që lidhen me pronësinë e tokës. Punimet kanë nisur që në muajin shkurt, ndërsa ditët e fundit është konstatuar ngritja e strukturave të reja rrethuese dhe mbrojtëse.
Sipas banorëve, kjo masë është ndërmarrë pas protestave të vazhdueshme kundër projektit. Ata pretendojnë se tokat e tyre janë përvetësuar përmes dokumenteve të falsifikuara nga një ish-zyrtar, i cili më pas ia ka shitur ato kompanisë ndërtuese.
Një ditë më parë, gjatë protestës për Zvërnecin në kryeqytet, një prej pjesëmarrësve u bëri thirrje qytetarëve të bashkoheshin në protestën e planifikuar në Rrjoll.
“Gardhin që e hoqën në Zvërnec e keni marrë vesh që e kanë vendosur në Rrjoll. Një grup qytetarësh nesër do të bëjnë protestë në Rrjoll, ai që ka mundësinë t’i bashkohet për të hequr gardhin dhe në 18:00 të jemi sërish këtu, për të hequr kryeministrin”, tha protestuesi Edison Likaj.
Ndërkohë, organizatori i protestës për Rrjollin, Prek Molla, u shpreh se pret një pjesëmarrje të lartë të qytetarëve dhe se kundërshtimi ndaj projektit do të vijojë.
“Do të vijnë shumë njerëz nga e gjithë Shqipëria për t’i dalë në ndihmë rrjollorëve, pasi u bë dhe gardhi si në Zvërnec. Atje e hoqën gardhin në vend që në Rrjoll të hiqen telat me gjemba, atje i vunë. Ditën e shtunë besoj se ai mur, ai burg do të shembet. Ata po punojnë, nuk e kuptoj pse, por janë të lidhur me qeverinë”, tha Molla.
Prej më shumë se pesë muajsh tashmë, banorët e Baks-Rrjollit kanë vijuar protestat kundër ndërtimit të një resorti turistik në zonë. Projekti “Blu Borgo”, i cili po zhvillohet në një sipërfaqe prej 146 hektarësh, ka nisur në fillim të shkurtit pas marrjes së lejes së ndërtimit nga biznesmeni Bashkim Ulaj.
Ky projekt parashikon ndërtimin e 33 strukturave akomoduese dhe shërbimi, me ndërtesa nga 3 deri në 10 kate mbi tokë dhe një kat nëntokë. Subjekti zhvillues është kompania “ABA Blue Borgo”, e cila mban statusin e investitorit strategjik.










