Ish-presidenti i vendit Ilir Meta është liruar sërish nga qelia sot më 3 qershor, teksa pret ngushëllime për babanë e ndjerë pranë një hoteli në kryeqytet.
Meta ka marrë leje për disa orë për pritjen e ngushëllimeve ndaj të atit. Ai shoqërohet nga efektivët e sigurisë së burgjeve.
Ish-kreu i shtetit është pritur jashtë ambienteve të burgut nga mbështetës, figura politike dhe bashkëpunëtorë të tij ndër vite. Ndër figurat që ka takuar sot Metën ishte deputeti Klevis Balliu, si dhe deputetja Elda Hoti. Po ashtu, në ambientet e hotelit ku mbahen ngushëllimet ishte edhe ish-ministri Edmond Panariti.
Në ngushëllimet për babanë e ndjerë të Metës ishte i pranishëm edhe ish-kryeministri dhe kryetari i PD-së, Sali Berisha.
Duke shprehur ngushëllime për familjen e ish-presidentit, Berisha këmbënguli sërish se ish-kryetari i LSI-së është një i burgosur politik.
“Një farsë e turpshme, një farsë që mbahet gjallë nga një ish-xhelat i Sigurimit të Shtetit dhe të tjerë, me falsitete, dokumente false dhe si një zbatim i porosisë së Edvin Kristaq Ramës, njeriut, krimet familjare të të cilit e bëjnë atë më kriminel se sa etërit e tij.
E thotë Viktor Hygoi diku, çobani i bagëtive të egra është më i egër se ato.
Bastardi i egërsirave, i xhelatëve të komunistëve është më i egër se vetë ata.
Dëgjoni, ju duhet të bëni investigim.
Unë ftoj mediat të bëjnë investigim.
Dëgjoni se çfarë bëjnë, dorëzojnë dokumente të cilat faktojnë se kanë ngritur akuzën mbi falsitet dhe nuk do i jepen LSI-së për dy vite, nuk duhet t’i shohin se nuk duan t’u dalin akuzat fale, të turpshme që kanë lëshuar ndaj tij.
Edhe njëherë u them, asnjëra prej akuzave ka absolutisht zero substancë.
E mban Edi Rama vetëm nga frika dhe tmerri, sepse siç e shihni ju, ai tani mbahet në çdo fije bari, është i aftë për çdo akt, pasi në fakt është një kufomë e pakallur”, u shpreh Berisha.










