Nga Berati, kryeministri Edi Rama iu përgjigj dhjetëra protestuesve që u mblodhën për herë të dytë në Tiranë për të kundërshtuar projektin për resortin luksoz në Zvërnec, me akuzat se ndërtimi shkatërron mjedisin dhe biodiversitetin. Shefi i qeverisë u kujdes të nënvizojë edhe njëherë që zona e Pishë-Poros është zonë e mbrojtur e kategorisë 5, por që lejon zhvillimin dhe ndërtimin. Në asnjë rast, shtoi Rama, natyra nuk është kërcënuar dhe kurrë Zvërneci nuk është hequr nga zona e mbrojtur.
“Ka një protestë në Tiranë, protestë për të mbrojtur natyrën, po kush e ka kërcënuar natyrën? Kush e ka vënë në rrezik bisodiveristetin. Protestohet se është hequr nga zonë e mbrojtur Zvërnecin, po kush e ka hequr dhe kur ka qenë zonë e mbrojtur dhe çfarë zone. Zvërneci ka qenë zonë e mbrojtur e kategorisë 5, peizazh i mbrojtur, kështu është dhe sot, kështu do jetë dhe nesër. Protestohet për çfarë?”, tha Rama.
Protestuesve u tha se kanë rënë pre e manipulimeve dhe se toka nuk është i shitur izraelit siç po gëlon në rrjet, por bëhet fjalë për një projekt që do të zhvillohet nga dy vëllezër nga Katari që vlera e investimit arrin në 4 mld euro. Kryeministri tha se ata që çohen në protesta, duhet të nxjerrin edhe projektin të cilin kontestojnë, por theksoi se projekti arkitektonik nuk ekziston, pasi ende po bëhet studimi mjedisor.
“Normalisht kush proteston duhet të thotë unë protestoj për këtë projekt? Por nuk kanë se si ta nxjerrin sepse projekti akoma nuk ka përfunduar, Është një projekt që punohet prej vitesh, në emër të interesit të shqiptarëve kemi mbajtur një qëndrim kërkues…Bie pre e ca pseudo-myslimanëve që përhapin një legjendë që Zvërneci i është shitur Izraelit”, shtoi Rama.
Shefi i qeverisë theksoi se tashmë Shqipëria ka hyrë në një tjetër fazë, atë të turizmit elitar dhe se investime të tilla, që ka katërfishuar vlerën e pronës, do t’i donte çdo vend.
“Kush mendon se turizmi cilësor, është një turizëm që iu vlen vetëm atyre që vijnë, mendon gabim, sepse ata kur vijnë duan të ushqehen me çfarë prodhon vendi ku shkojnë, investime si ky i Zvërnecit janë investime që do ti donte çdo vend dhe janë investime që jo çdo vend ka dëshirë ti shohë që ti bëjë Shqipëria. Janë investime që mobilizojnë të gjithë çfarë ka rreth e rrotull. Mobilizojnë bujqit, blegtorët, mobilizojnë sistemin e transportit. Pa nisur investimi, ka rritur 4 fish vlerën e pronës”, vijoi Rama.
gijotina.com/









