Sezoni magjik i Arsenalit është kurorëzuar edhe me një tjetër sukses të madh për Mikel Artetën.
Trajneri spanjoll është shpallur zyrtarisht trajneri më i mirë i sezonit në Premier League, pas triumfit historik që riktheu titullin kampion në Londër pas 22 vitesh pritjeje.
Në moshën 44-vjeçare, Arteta po konsiderohet si arkitekti i një Arsenali perfekt, një skuadër që dominoi kampionatin anglez me futboll spektakolar, ekuilibër dhe mentalitet fitues.
Për teknikun spanjoll ky është trofeu i parë i madh individual në karrierën e tij si trajner, por një vlerësim plotësisht i merituar pas punës së jashtëzakonshme që bëri në krye të “Topçinjve”.
Pas tri sezonesh të mbyllura në vendin e dytë, Arteta më në fund arriti të kompletojë kryeveprën e tij duke i dhënë fund dominimit të Manchester Cityt dhe Liverpoolit në futbollin anglez.
Arsenali shkëlqeu veçanërisht në repartin difensiv, duke pësuar vetëm 27 gola gjatë gjithë sezonit dhe duke mbajtur portën të paprekur në 19 ndeshje.
Edhe në sulm londinezët ishin fantastikë, me 71 gola të realizuar, statistika që i bëri një nga ekipet më të forta në Europë.
Arteta hyri gjithashtu në histori si trajneri i parë që fiton titullin kampion me të njëjtin klub ku ka luajtur më parë si futbollist.
Megjithatë, sezoni mund të bëhet edhe më i jashtëzakonshëm. Më 30 maj në Budapest, Arsenali do të përballet me PSG-në në finalen e Champions League, ku Arteta synon të kompletojë sezonin perfekt me trofeun më të rëndësishëm europian.








