Ish-kryeministri i majtë i Greqisë, Alexis Tsipras, të martën prezantoi një parti të re politike, të cilën shpreson se do të bashkojë opozitën e ndarë të vendit, në një kohë pakënaqësie të gjerë në mbarë vendin ndaj establishmentit politik dhe korrupsionit.
Tsipras, i cili humbi pushtetin në vitin 2019, fitoi vëmendje ndërkombëtare si udhëheqës i partisë radikale Syriza, e cila u përball me Brukselin dhe Berlinin gjatë përplasjeve të forta në kulmin e krizës së borxhit në eurozonë.
Sipas Politico, që atëherë, politika greke është dominuar nga partia konservatore Demokracia e Re e kryeministrit Kyriakos Mitsotakis. Me një avantazh të qëndrueshëm në sondazhe, ai pritet të shpallë zgjedhje përpara verës së vitit 2027, ndërsa Tsipras po pozicionohet si një sfidues i mundshëm.
Tsipras, 51 vjeç, e ka paraqitur partinë e tij të re “Elas” si një përpjekje për të bashkuar të majtën përtej bazës së tij fillestare të së majtës radikale, ndonëse ka marrë emrin, në mënyrë disi të diskutueshme, nga ushtria e rezistencës komuniste gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Ai e prezantoi projektin e ri në një fjalim 40-minutësh në qendër të Athinës, me Akropolin e ndriçuar në sfond, duke përshëndetur mijëra mbështetës si “shokë” dhe “miq”.
“Deklarata jonë sot shënon fillimin e një përpjekjeje të re kolektive për të krijuar një aleancë të gjerë progresiste,” tha ai, duke shtuar se partia e re do të përfshijë “të majtën radikale, socialdemokracinë dhe ekologjinë politike”.
Përpjekja e Tsipras për t’u rikthyer në skenën politike vjen në një kohë kur sondazhet tregojnë pakënaqësi të thellë të grekëve me gjendjen e vendit.
Kjo pakënaqësi është thelluar nga një seri skandalesh të mëdha, reagimi i dështuar i qeverisë ndaj aksidentit më vdekjeprurës hekurudhor në vend, gjetja e programeve të përgjimit në telefonat e dhjetëra politikanëve dhe gazetarëve, si dhe një mashtrim i madh me fondet bujqësore të BE-së.
Megjithatë, zemërimi për keqmenaxhimin nuk e ka forcuar opozitën. Sipas “Poll of Polls” të POLITICO-s, Demokracia e Re me rreth 30 për qind mbështetje ka dyfishin e përkrahjes së rivalit më të afërt. Pjesa tjetër e skenës politike përbëhet nga një mori partish të vogla.
“Demokracia e Re ka mbetur për një kohë të gjatë në vend të parë, por shifrat e saj janë në nivelin më të ulët historik. Në të njëjtën kohë, nuk ka forca të dukshme që mund të sfidojnë dominimin e saj,” tha Angelos Seriatos, drejtues i departamentit të kërkimeve politike dhe sociale në firmën Prorata.
Seriatos shtoi se mundësia që Demokracia e Re të formojë qeveri me shumicë në raundin e parë apo të dytë të zgjedhjeve po zvogëlohet gjithnjë e më shumë.
Petros Ioannidis, drejtor ekzekutiv i grupit kërkimor “About People”, tha: “Prioriteti i parë i Tsipras do të jetë të rimobilizojë bazën e majtë, e cila u fragmentua në disa fraksione pas largimit të tij, dhe më pas të përpiqet të tërheqë një audiencë më të gjerë.”
Disa deputetë të Syriza-s, si dhe të partisë “E Majta e Re”, e cila u shkëput prej saj, tashmë kanë dhënë dorëheqje ose pritet ta bëjnë së shpejti për t’iu bashkuar Tsiprasit.
Jo lojtari i vetëm i ri
Prezantimi i Tsiprasit shënoi krijimin e partisë së dytë të re brenda më pak se një jave.
Maria Karystianou, nëna e një prej viktimave të aksidentit hekurudhor në Tempi në vitin 2023, prezantoi të enjten e kaluar partinë e saj të re të quajtur “Shpresa për Demokraci”, me një platformë të fortë anti-establishment.
Mjekja pediatre 53-vjeçare u shfaq si figurë udhëheqëse në valën e protestave kundër establishmentit politik pas aksidentit dhe një perceptimi për mbulim nga autoritetet. Megjithatë, ajo ka humbur mbështetje te disa grupe, pas deklaratave që janë konsideruar afër populizmit të djathtë për tema si e drejta e abortit dhe marrëdhëniet me Turqinë.
“Qëndrimet e saj i ngjajnë shumë “Lëvizjes 5 Yjet” në Itali, por me një prirje më të fortë patriotike dhe nacionaliste dhe me fokus te korrupsioni,” tha Seriatos.
“Ajo filloi me kapital moral dhe dukej se shumë njerëz do të ishin të hapur ndaj mesazhit të saj politik, por tani është në një trajektore rënëse,” shtoi ai. Kritikët e kanë akuzuar gjithashtu se është rrethuar nga figura me qëndrime pro-ruse ose lidhje me Moskën.
Nga krahu i djathtë i spektrit politik pritet të dalë edhe një tjetër parti nga ish-kryeministri dhe ish-lideri i Demokracisë së Re, Antonis Samaras.
Ai u përjashtua nga partia në vitin 2024 pas kritikave të ashpra ndaj politikave qeveritare, përfshirë marrëdhëniet me Turqinë fqinje dhe qasjet që ai i konsideron “woke”, si njohja e martesave mes personave të së njëjtës gjini.
Ish-kryeministri 75-vjeçar pritet të ketë ndikim më të kufizuar elektoral, por partia e tij mund t’i krijojë vështirësi Mitsotakis-it, i cili sipas sondazheve mund të mos sigurojë mjaftueshëm vota për të formuar qeveri.
“Partitë e reja duket se mbulojnë të gjithë spektrin politik, nga e majta në të djathtë, si dhe përtej kufijve tradicionalë të boshtit politik, dhe si rezultat ato do të ndryshojnë patjetër peizazhin politik,” tha George Arapoglou, drejtor i Pulse RC./Politico







