Aktivisti shqiptar Baki Goxhaj ka mbërritur në Shqipëri pasi u deportua nga autoritetet izraelite, ndërsa ishte pjesë e flotiljes humanitare “Sumud”, e cila synonte të çonte ndihma drejt Rripit të Gazës. Në aeroportin e Rinasit, ai është pritur nga familjarët dhe fëmijët e tij.
Pas mbërritjes në vend, Goxhaj ka qëndruar për rreth dy orë në komisariatin e Rinasit, ku është marrë në pyetje nga autoritetet shqiptare.
“Unë jam nga Vlora dhe vitet e fundit jam angazhuar si aktivist për çështjen palestineze, për t’i dhënë fund gjenocidit dhe për zgjidhjen e kësaj çështjeje që po zgjat prej 80 vitesh si një plagë e hapur në botën moderne. Organizata që merret me organizimin e flotiljes është online dhe ka hapur aplikime për t’u bërë pjesë e flotiljes. Edhe unë, pasi u informova, ndoqa procedurat për t’u bërë pjesë e saj.
Rreth 10 ditë më parë u nisëm. Ne ishim në ujëra ndërkombëtare kur pamë disa anije të mëdha dhe dy skafe të fuqishëm që po afroheshin. Pavarësisht përpjekjeve për t’u larguar, nuk ishte e mundur. Duke u afruar, na kërcënuan dhe qëlluan me armë; nuk e di nëse ishin plumba të vërtetë.
Na hipën në anije, na lidhën duart të gjithëve; mua më lidhën edhe sytë, sepse isha pak i zëshëm duke kërkuar të na lironin. Na morën zvarrë dhe na çuan në një anije të madhe të sajuar me kontejnerë, ku kemi qëndruar 2 ditë e 2 net si bagëti. Në anije kishim vetëm ujë për të pirë dhe bukë të thatë.
Kam qenë aty dhe e kam parë me sytë e mi; kam dëgjuar një vajzë palestineze jo shumë larg meje që më pas u dhunua. E kam parë gjithë skenën”, tha Goxhaj.








