Detaje të reja janë zbardhur nga arrestimi i një efektivi të Policisë së Sarandës, i kryer mbrëmjen e së martës nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) në bashkëpunim me Prokurorinë.
Burime pranë hetimit bëjnë me dije se në pranga ka rënë nënkomisari Edmond Ruçi, specialist për hetimin e krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë.
Sipas informacioneve paraprake, hetimet kanë nisur pas ndalimit të dy personave të dyshuar për shpërndarje të lëndëve narkotike. Mësohet se gjatë shoqërimit të tyre, në ambientet e dhomave të ndalimit janë instaluar pajisje përgjimi, çka ka çuar më pas në evidentimin e dyshimeve ndaj efektivit të policisë.
Pas përgjimeve dhe veprimeve hetimore të kryera nga AMP dhe Prokuroria, është bërë edhe ndalimi i oficerit Edmond Ruçi.
Deri më tani nuk janë bërë publike detaje të plota mbi akuzat konkrete që rëndojnë ndaj efektivit, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur të gjithë rrethanat e çështjes.
Më herët, janë arrestuar disa efektivë policie në qytetin bregdetar, si të përfshirë në favorizime sa i përket një ndërtimi pa leje në një hapësirë plazhi. Në pranga përfundoi edhe shefi i komisariatit!
Për rastin, u arrestuan edhe 8 persona të cilët punonin në objekt si dhe një grua e cila posedonte hapësirën e plazhit, për llogari të së cilës dyshohet se kryheshin punimet pa leje.
Nga hetimet rezulton se funksionarët e policisë kanë lejuar ndërtimin pa leje, duke mos marrë masat e nevojshme për ndërprerjen e paligjshmërisë. Ata dyshohet se kanë krijuar skema me qëllim përfitimi të paligjshëm, shmangie të përgjegjësisë ligjore dhe favorizim të subjekteve të lidhura me struktura kriminale që operonin në territorin e Sarandës.










