Imami nga Drenas, Osman Musliu, ka njoftuar se po largohet nga detyra e imamit në xhaminë e qytetit, pasi ka vendosur të hyjë në politikë dhe të kandidojë për deputet në zgjedhjet e 7 qershorit.
Gjatë një adresimi emocional para besimtarëve, pak para faljes së namazit të xhumasë, ai nuk i ka mbajtur lotët teksa ka bërë të ditur vendimin e tij. Sipas deklarimit të tij, arsyeja kryesore e largimit është shmangia e çdo perceptimi se xhamia mund të lidhet me ndonjë parti politike.
Ai theksoi se nuk dëshiron që besimtarët të ndihen të ndikuar apo të përjashtuar për shkak të bindjeve politike të imamit, duke shtuar se xhamia duhet të mbetet vend vetëm për besim dhe adhurim.
Musliu u shpreh se ka mbështetur gjithmonë “të mirën” për vendin dhe shoqërinë, por tani dëshiron të vazhdojë angazhimin e tij jashtë detyrës fetare, në politikë dhe shërbim publik.
Në deklaratën e tij, ai tha se do të vazhdojë të kontribuojë për shoqërinë dhe vlerat që përfaqëson, duke kërkuar mirëkuptim nga besimtarët dhe duke falënderuar mbështetjen e tyre ndër vite.
Ai përmbylli fjalimin duke kërkuar falje dhe mirëkuptim reciprok, duke theksuar se vendimi i tij vjen nga dëshira për të mos përzier fenë me politikën.
gijotina.com/









