Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, në takimin me Komisioneren e Zgjerimit, Marta Kos, ka kërkuar që aplikimi i Kosovës në Bashkimin Europian të mos bëhet me rrugë të shkurtra dhe as derë të pasme por vetëm me një proces me të drejtë merite.
Sipas tij, Kosova ka përparuar shumë në plotësimin e kritereve.
“Nuk duam rrugë të shkurtra apo derë të pasme, por vetëm proces meritor”, tha Kurti, ndryshe nga rrugët që kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i ka propozuar Brukselit në bashkëpunim me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç.
Kurti ka thënë se janë bërë 40 muaj që kur Kosova ka aplikuar dhe se është koha që BE të avancojë procesin.
“Janë bërë mbi 40 muaj që kur kemi aplikuar dhe momenti i ripërtrire i zgjerimit të BE-së duhet të rezultojë me avancimin e merituar të Kosovës. Mbështetja publike për BE-në, për anëtarësim në BE, qëndron rreth 90 % në vendin tonë, dhe është ndër më të lartat nga të gjitha vendet kanidate. Gjetja e unitetit brenda BE-së për të marrë vendime karshi Kosovës është detyrë e përbashkët. Kërkohet që edhe BE të shtyjë këtë unitet përpara. Vakumi që le BE, po synohet të mbushet nga akterë të tjerë dashakëqi, që rrezikojnë sigurinë tonë të përbashkët”, ka shtuar Kurti.
Kurti tha gjithashtu se me komisioneren Kos u fol edhe për bashkëpunimin rajonal.
Ai përmendi se Bosnja e Hercegovina ende nuk i ka hequr vizat për Kosovës dhe se Serbia po e mban të bllokuar marrëveshjen për njohjen e diplomave.
“Kosova ka përjetuar dy sulme terroriste në tri vitet e fundit. Në Banjskë me 24 shtator 2019 dhe në kanalin Iber-Lepenc në infrastrukturë kritike me 2024, që të dyja këto të financuara nga fqinji ynë verior. Llogaridhënia për këto sulme është thelbësore, pasi pa llogaridhënie, rreziku ndaj sigurisë sonë mbetet i lartë. E kemi një fqinj agresor e agresiv që të sulmon në vend se të jetë bashkëpunues, kjo është sfidë sa për sigurinë, po aq edhe për bashkëpunimin rajonal”, tha Kurti.
Ju rikujtojmë se editoriali i publikuar në median gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” (FAZ) nga Rama me Vuçiç propozon që vendet e Ballkanit Perëndimor të integrohen gradualisht në tregun e brendshëm të BE-së dhe në zonën Schengen pa qenë ende anëtare të plota të unionit.
Por sipas opozitës, kjo kërkesë bie ndesh me rezolutat e miratuara më parë nga Kuvendi i Shqipërisë për anëtarësim të plotë në Bashkimin Europian.
Në kërkesë theksohet gjithashtu shqetësimi për ndikimin që mund të ketë kjo qasje në procesin e integrimit dhe në interesat strategjike të Shqipërisë dhe Kosovës.
Vetë Komisionerja e Zgjerimit e BE-së, Marta Kos, i ka mbyllur derën çdo rruge të shkurtër në procesin e afrimit me BE-në. V
Vuçiç dhe Rama ndoshta “nuk e dinë se sa përpjekje duhet të bëjnë për t’u bërë pjesë e Shengenit ose e tregut të vetëm”, tha Kos, duke sugjeruar se këto qëllime janë po aq të vështira për t’u arritur, nëpërmjet reformave, sa edhe anëtarësimi i plotë.









