Një incident i rëndë ka ndodhur në Rozafa Fish City, ku i ‘forti’ i Gjergj Lucës ka dhunuar klientët. Ngjarja është denoncuar nga dy zonja, që kanë rënë preh e dhunës, ndërsa incidenti merr përmasa edhe më të mëdha, kur një patrullë policie nuk është në gjendje të ndalë agresorin.
Gjithçka ka ndodhur brenda Rozafa Fish City, ku sipas denoncimit, një roje ka goditur me grushte dy zonja dhe një zotëri, që kishin zgjedhur që pas drekës në restorant të bënin një shëtitje në ambientet e jashtme. Jo vetëm kaq, por një përgjigje kërcënuese dhe arrogante, të dhunuarit kanë marrë edhe nga menaxheri i Rozafa Fish City.
Denoncimi është publikuar në JOQ Albania nga një zonjë që kishte shkuar me familjarë dhe të afërm të saj në restorantin në pronësi të Gjergj Lucës.
Sipas saj, ngjarja ka ndodhur pasi ajo dhe familjarët kishin përfunduar drekën dhe kishin dalë për të bërë një xhiro pranë lokalit.
Ajo pretendon se grupi ishte paralajmëruar verbalisht të mos kalonte në një zonë pas restorantit, por kishte vijuar rrugën pasi, sipas saj, nuk kishte tabela apo sinjalistikë ndaluese për klientët.
Sipas dëshmisë së saj, pak minuta më vonë një person iu afrua me vrap dhe ushtroi dhunë fizike ndaj një prej shokëve të saj. Qytetarja thotë se personi fillimisht e kapi nga krahu dhe më pas e goditi me shkelm dhe grusht. Ajo shton se edhe motra e saj është goditur ndërsa ishte përpjekur të ndërhynte për të ndarë konfliktin.
Pas incidentit, grupi ka telefonuar policinë, ndërsa personi që dyshohet se ushtroi dhunën është larguar nga vendi i ngjarjes. Sipas denoncueses, në zonë ndodhej edhe një grua me dy fëmijë të mitur, të cilët mbetën të frikësuar nga situata.
Qytetarja pretendon se gjatë pritjes së policisë kanë kërkuar të takojnë menaxherin e restorantit për të mësuar identitetin e personit që i kishte goditur, por nuk kanë marrë informacion. Ajo thotë se më pas ka komunikuar në telefon me një person të identifikuar si Emiljano, i cili, sipas saj, i ka kërcënuar dhe u ka kërkuar të largohen nga ambientet e biznesit.
Denoncuesja deklaron se bisedën telefonike e ka regjistruar. Ajo shton se policia ka mbërritur në vendngjarje dhe i ka kërkuar të paraqiten në komisariat, por grupi ka insistuar që të shoqëroheshin edhe personat që ata akuzojnë për dhunë dhe kërcënime.
Sipas saj, më pas ata janë paraqitur vetë në Komisariatin e Elbasanit ku kanë bërë kallëzim. Qytetarja pretendon se policia ka dokumentuar dëmtimet në fytyrë të motrës dhe shokut të saj dhe se çështja tashmë po ndiqet nga Prokuroria.








