I dënuari si fajtor për ngjarjen e Gërdecit ku humbën jetën 26 persona, merr nga qeveria 15.600 euro për tre vite burg
Mihal Delijorgji do të dëmshpërblehet nga qeveria me 15.600 euro për burgun që ka kryer si i akuzar për ngjarjen e Gërdecit. Delijorgji fitoi gjyqin me qeverinë shqiptare në Gjykatën e Strasburgut. Në Fletoren Zyrtare është botuar dje vendimi i gjykatës europiane, e cila dëmshpërblen pronarin e kompanisë Albademil, shkruan Gazeta Shqiptare. Vendimi është bazuar mbi mbajtjen e Delijorgjit nën arrest edhe pas përfundimit të afateve ligjore, çka është konsideruar si shkelje e konventës.
Mihal Delijorgji u dënua nga gjykata si fajtor për ngjarjen e Gërdecit e ndodhur më 15 mars 2008, ku në një objekt demontimi ndodhi një shpërthim masiv. Nga ku dhe humbën jetën 26 persona. 265 persona të tjerë u plagosën rëndë ose lehtë dhe një sërë ndërtesash që gjendeshin përreth u dëmtuan rëndë.