Këngëtarja kolumbiane, Shakira, ka bërë të ditur se kënga e saj e re, “Dai Dai”, do të jetë kënga zyrtare e Kupës së Botës 2026, që do të mbahet në qershor dhe korrik në Shtetet e Bashkuara, Meksikë dhe Kanada.
Artistja e njoftoi lajmin përmes një videoje të shkurtër në rrjete sociale, ndërsa kënga pritet të publikohet më 14 maj.
Kjo është hera e tretë që Shakira lidhet me muzikën e Botërorit, pas suksesit të madh me “Waka Waka (This Is Africa)” në Botërorin e Afrikës së Jugut 2010 dhe “La La La” në Botërorin e Brazilit 2014.
Në videon e publikuar, e xhiruar në stadiumin Maracana në Rio de Zhaniero Shakira shfaqet e veshur me bluzë të verdhë dhe pantallona të shkurtra blu, e shoqëruar nga disa kërcimtare dhe me topa futbolli pranë, teksa këndon disa pjesë nga “Dai Dai”.
Titulli i këngës, sipas shpjegimit, në italisht nënkupton “hajde, hajde/ejani”, megjithëse Italia nuk do të jetë pjesë e turneut.
Në postimin e saj, Shakira u shpreh e entuziazmuar që rikthehet sërish në një nga ngjarjet më të mëdha sportive në botë, ndërsa fansat nisën menjëherë të spekulojnë se “Dai Dai” do të ketë ritme energjike dhe atmosferë feste, në linjën e hiteve që e kanë shoqëruar edhe më parë në Botëror.
Publikimi i këngës më 14 maj pritet të shërbejë si nisje e fushatës muzikore të FIFA-s për urneun e verës, që do të zhvillohet në tri shtete pritëse.
Organizatorët synojnë që himni zyrtar të kthehet në një simbol të edicionit të radhës, duke shoqëruar momentet kryesore të kompeticionit, nga ceremonitë hapëse deri te festimet e tifozëve në stadiume dhe “fan zone”.










