Deputeti i Partisë Demokratike, Enno Bozdo u shpreh se Shqipëria ndodhet e papërgatitur përballë një krize të mundshme energjetike dhe se vendi nuk disponon rezerva sigurie për përballimin e situatave emergjente në sektorin e naftës. Gjatë fjalës së tij në seancën e sotme plenare, Bozdo deklaroi se ndërsa vendet e Bashkimit Europian kanë aktivizuar rezervat e tyre strategjike për të menaxhuar krizën energjetike, Shqipëria nuk ka kapacitete reale rezervë dhe as plane konkrete emergjence për furnizimin e sektorëve jetikë.
Deputeti demokrat akuzoi qeverinë për mosrespektim të detyrimeve ligjore dhe të angazhimeve ndaj Bashkimit Europian dhe Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, duke theksuar se vendi duhet të kishte rezerva sigurie të barabarta me ditë të caktuara konsumi ose importi.
“Shqipëria sot zotëron vetëm fjalë. Dhe është me duar të lartë përpara manaxhimit të një krize shumë të rëndë, që nuk varet nga ne, por që ka ndikim shumë të madh në fushën e energjisë. Sot ne nuk kemi as rezerva sigurie, as kapacitete për të menaxhuar kriza të tilla dhe këtë krizë, dhe as plane emergjence për të furnizuar sektorët jetikë. Për ta përballuar këtë krizë deri më sot, vendet e Bashkimit Evropian kanë hedhur në treg 82 milionë fuçi nafte nga rezervat e tyre strategjike, të cilat i kanë. Shifër kjo që përbën rreth 20% të totalit të rezervës të Bashkimit Evropian.
E ndërsa kriza vazhdon, ne jemi me sytë nga qielli duke shpresuar që kjo krizë do të zgjidhet sa më parë, sepse jemi realisht në pikë të hallit. Aq sa dhe kryeministri u detyrua të gënjejë në takimin e marsit me furnizuesit e naftës, duke thënë se rezerva e sigurisë është fizikisht aty për 30 ditë. Zero ditë, zero gram. Kjo të jetë e qartë për të gjithë opinionin publik. Ndërkohë, e vërteta është se jemi me duart lartë.
Dhe ky fakt na nxjerr në dritë shumë të keqe me vetveten, por edhe me partnerët tanë të Bashkimit Evropian. Sepse nëse BE-ja nesër do të kërkonte të lirojmë rezervën e sigurisë, si pjesë e reagimit kolektiv ndaj krizës, atë që kanë bërë Gjermania, Austria, Franca, Spanja, Italia, ne do të ishim me duar të lartë. Do të ishim shteti i vetëm i rajonit që nuk ka çfarë të japë, sepse nuk ka asgjë për të ruajtur.
Kjo nuk është retorikë politike që thuhet sot apo që harrohet nesër. Ky është vetëm konstatim i dhimbshëm i fakteve. Angazhimi i Shqipërisë ndaj ligjit të saj, por edhe ndaj Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë dhe ndaj Bashkimit Evropian, direktivës përkatëse të Bashkimit Evropian, është detyrim ligjor për rezervë të barabartë me 61 ditë konsum ose 90 ditë import, cilado qoftë më e lartë.Por ne i kemi shkelur angazhimet tona me të dyja këmbët. Zoti ministër, kjo është çështja për të cilën kam kërkuar interpelancë.
Ju duhet të jepni sot shpjegime pse ndodhemi në këtë gjendje. Pse Shqipëria nuk e ka respektuar këtë detyrim. Në të gjithë këtë kohë, qeveria ka njoftuar se është gati projektligji për krijimin e autoritetit të rezervës së sigurisë. Një projektligj, draft i të cilit është hedhur për herë të parë për konsultim publik qysh në vitin 2019. Ka gjashtë vite që qëndron në në sirtarët e qeverisë dhe papritur tani që vjen kriza kujtoheni ta hidhni përsëri duke i thënë njerëzve që këto punë ne do ta zgjidhim me anë të këtij projektligji. Për fat të keq”, tha Bozdo










