Prokurorë të Tiranës dhe Elbasanit do të jenë pjesë e dy skuadrave të përbashkëta hetimore me autoritetet e Kolumbisë kundër fenomenit të prostitucionit. Marrëveshjet u nënshkruan në muajin prill në Eurojust. Përgjatë vitit 2025, prokurorët shqiptarë kanë qenë pjesë e 27 skuadrave të përbashkëta me vendet e BE-së, por dhe me Kosovën e Maqedoninë e Veriut.
Jo vetëm Prokuroria e Posaçme, por edhe Prokuroritë e Juridiksionit të Përgjithshëm kanë nisur të krijojnë skuadra të përbashkëta hetimore me shtete të tjera.
Në raportin vjetor të Prokurorisë së Përgjithshme thuhet se në shtator 2025 Prokuroria e Tiranës ka nënshkruar marrëveshjen e parë të këtij lloji me një autoritet gjyqësor të Bashkimit Europian, duke hapur rrugën për përfshirjen edhe të prokurorive të zakonshme në mekanizmat e hetimeve të përbashkëta ndërkombëtare.
Gjithashtu, Prokuroritë e Tiranës dhe Elbasanit kanë nënshkruar marrëveshje për ngritjen e skuadrave të përbashkëta hetimore me autoritetet e Republikës së Kolumbisë, me fokus hetimin e trafikimit të qenieve njerëzore, veçanërisht prostitucionin. Fenomeni i vajzave nga Amerika Latine që janë punonjëse seksi në Shqipëri është ndjerë kohët e fundit, ndërsa në tetor 2025 u godit në Kolumbi një grup që trafikonte vajza në Shqipëri e Ballkan, një rrjet prostitucioni me miliona euro përfitime.
Praktika e re e skuadrave të përbashkëta synon lehtësimin në kohë reale të shkëmbimit të informacionit dhe koordinimin e veprimeve hetimore në raste me elementë ndërkombëtarë.
SHQIPËRIA NË 27 SKUADRA TË PËRBASHKËTA HETIMI ME VENDET E BE
Gjatë vitit që kaloi, Shqipëria ka qenë pjesë e disa skuadrave të përbashkëta hetimore në bashkëpunim me vende të Bashkimit Europian dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë, kryesisht në luftën kundër krimit të organizuar, trafikut të drogës, pastrimit të parave, mashtrimeve kibernetike dhe trafikimit të paligjshëm të armëve dhe qenieve njerëzore. Numrin më të lartë të skuadrave aktive e mban SPAK me 26 skuadra hetimore, ndërsa në total Shqipëria ka 27 skuadra të përbashkëta me vendet e BE-së. Mes vendeve jo anëtare Shqipëria renditet ndër më aktivet në rajon në këtë formë bashkëpunimi, pas Ukrainës dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Skuadrat e përbashkëta të prokurorëve shqiptarë nuk janë vetëm me vendet e BE-së, por dhe me autoritetet e shteteve të rajonit të Ballkanit si Kosova, Maqedonia e Veriut dhe po diskutohet krijimi i skuadrave të para me Serbinë dhe Malin e Zi.
723 LETËRPOROSI JASHTË VENDIT NË 2025, VETËM 24 EKZEKUTOHEN
Në raportin e Prokurorisë së Përgjithshme, në drejtim të bashkëpunimit me jashtë evidentohet edhe ai përmes letërporosive. Gjatë vitit 2025 u janë dërguar autoriteteve të huaja gjyqësore gjithsej 723 kërkesa për ndihmë juridike në kuadër të procedimeve penale të regjistruara në Shqipëri, duke shënuar një rritje prej 34% krahasuar me vitin 2024, kur janë dërguar 539 letërporosi. Nga 723 letërporositë e dërguara jashtë vendit, rezulton të jenë ekzekutuar nga autoritetet e huaja gjithsej 173 letërporosi, ose 23.9%.
Prokuroria që ka pasur më shumë kërkesa për letërporosi ka qenë ajo e Tiranës me 210 raste, e ndjekur nga Durrësi me 87, Shkodra 59, Lezha 47, Kukësi 60, Korça 50, Elbasani 23, Fieri 61 dhe Vlora 65.
Sa i takon ekstradimeve, gjatë vitit 2025 janë trajtuar gjithsej 110 praktika ekstradimi për shqiptarë apo të huaj të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga prokuroritë e rretheve, ndërsa kanë përfunduar gjithsej 51
gijotina.com/










