Kosova po përballet me presion kohor, pasi nesër përfundon afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shmangur një përgjigje të drejtpërdrejtë lidhur me mundësinë e mbështetjes së Vjosa Osmani si kandidate për presidente.
I pyetur nga gazetarët, kryeministri Kurti nuk ka dhënë qëndrim të qartë për këtë çështje, shkruan RTK.
Edhe ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nuk ka pranuar të flasë për çështjen e presidentit. Ajo, derisa ishte duke shkuar në homazhe pranë Monumentit dedikuar Personave të Zhdukur me dhunë gjatë luftës, kërkoi që ato të respektoheshin.
Ndërkohë, vendi po përballet me presion kohor, pasi nesër përfundon afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri.
Deri më tani, partitë politike nuk kanë arritur konsensus për një emër që do të siguronte pjesëmarrjen e së paku 80 deputetëve në procesin e votimit.
Në përpjekje për të zhbllokuar situatën, Lëvizja Vetëvendosje u ka bërë ofertë dy partive kryesore opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, që të propozojnë tri kandidatë për postin e presidentit. LVV-ja është zotuar se do t’i sigurojë nënshkrimet e nevojshme për formalizimin e kandidaturave dhe do të mbështesë njërin prej tyre në votim.
Kjo ofertë nuk është pritur njësoj nga opozita. PDK-ja e ka refuzuar atë, ndërsa LDK-ja ka vendosur kushte, duke përmendur në mënyrë specifike emrin e Vjosa Osmanit si kandidate të mundshme.
Osmani këtë muaj përfundoi mandatin e saj 5-vjeçar në krye të shtetit.










