Ish- presidenti, Ilir Meta ka mbërritur në ambientet e Gjykatës së Posaçme ku zhvillohet seanca në themel.
Mësohet se Meta sapo ka hyrë ka përshëndetur me dy gishta, më pas ka bërë edhe simbolin e shqiponjës, duke thënë: Shqipëria, e shqiptarëve!
Kreu i Partisë së Lirisë i ka kërkuar GJKKO-së që seancat gjyqësore ndaj tij, të transmetohen live për mediat.
Presidenti i Partisë së Lirisë, thotë se mediave duhet t’u garantohet sinjali i transmetimit live, duke theksuar se “Transparenca përpara qytetarëve shqiptarë dhe llogaridhënia është detyrim për çdo institucion dhe çdo funksionar publik.”
Kujtojmë që Ilir Meta ndodhet në qeli prej tetorit të vitit 2024, dhe SPAK e ka marrë të pandehur për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie, lidhur me dosjen Cez-Dia dhe lobimin e LSI-së në SHBA. E pandehur është edhe ish-bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi, ndaj të cilës ka masë detyrim paraqitje.








