Denoncimet e qytetarëve për gjendjen e shëndetësisë shqiptare vijojnë të jenë të shumta dhe vazhdimisht ka ankesa që lidhen me probleme të përsëritura si ryshfeti për shërbime mjekësore, furnizimi i pamjaftueshëm me ilaçe, si dhe kushtet e mjerueshme higjieno-sanitare në spitalet publike.
Pavarësisht se këto shqetësime janë ngritur prej vitesh, qytetarët shprehen se nuk ka pasur zgjidhje konkrete nga institucionet përgjegjëse, pavarësisht miliardave që Ministria e Shëndetësisë merr nga buxheti i shtetit.
Së fundmi, një nënë ka denoncuar kushtet në Pediatrinë e Elbasanit, ku ka shtruar fëmijën e saj të sëmurë. Ajo tregon se mëngjesi i ofruar çdo ditë në pavijon përbëhet vetëm nga një fetë bukë, pak qumësht dhe një fetë djathë. Sipas saj, ky vakt është i pamjaftueshëm për fëmijë të sëmurë që kanë nevojë për ushqim të plotë dhe të balancuar.
Ky rast nuk është i vetmi ngre pikëpyetje mbi cilësinë e shërbimit ushqimor në spitalet publike, në një kohë kur për këtë sektor ofrohen fonde të çmendura. Çdo vit shpenzohen miliarda lekë për përmirësimin e infrastrukturës, furnizimin me medikamente, si dhe shërbime mbështetëse si ushqimi i pacientëve.
Megjithatë, një pjesë e madhe e këtyre tenderave janë në fokus të dyshimeve për korrupsion, duke ngritur pyetje mbi transparencën e këtij sektori dhe menaxhimin e fondeve publike.








