Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë ka reaguar për mediat në lidhje me ndryshimet e fundit të miratuara nga Kuvendi në ligjin “Për portet turistike në Republikën e Shqipërisë”.
Në qëndrimin e tij, delegacioni bën të ditur se është në dijeni të miratimit të këtyre ndryshimeve dhe se ato do t’i nënshtrohen një analize të detajuar nga strukturat përkatëse të BE-së, veçanërisht në aspektin e prokurimit publik dhe përputhshmërisë me legjislacionin evropian.
Sipas BE-së, kuadri ligjor i unionit kërkon që dhënia e koncesioneve të bëhet përmes procedurave transparente dhe konkurruese, përfshirë edhe në sektorin e porteve turistike.
Delegacioni vëren gjithashtu se teksti i ri i ligjit përfshin elementë të ngjashëm me ato të ligjit për Investitorët Strategjikë, i cili pritet të shfuqizohet nga Shqipëria në kuadër të angazhimeve të saj në procesin e integrimit evropian.
Në këtë kontekst, BE thekson se Shqipëria duhet të shmangë çdo hap që bie ndesh me këto angazhime, të lidhura me Agjendën e Reformave dhe me përmbushjen e kushteve për mbylljen e Kapitullit 27 në negociatat e anëtarësimit.
Reagimi i plotë i Delegacionit të BE në Tiranë:
Ne jemi në dijeni se Parlamenti miratoi ndryshime në Ligjin “Për portet turistike në Republikën e Shqipërisë”. Ndryshimet do të duhet të vlerësohen nga afër nga shërbimet tona, veçanërisht në fushën e prokurimit publik dhe përputhshmërinë e tyre me legjislacionin e BE-së, i cili kërkon procedura transparente dhe konkurruese për dhënien e koncesioneve, përfshirë edhe për portet.
Gjithashtu kuptojmë se teksti i ri përfshin dispozita të pranishme në Ligjin për Investitorët Strategjikë. Ky është një ligj që Shqipëria pritet ta shfuqizojë si pjesë e hapave të Agjendës së Reformave dhe në kuadër të kushteve përmbyllëse për Kapitullin 27. Shqipëria duhet të përmbahet nga çdo hap që bie ndesh me këto angazhime.










