Kryeministri Edi Rama do të thirret në Gjykatën e Posaçme Antikorrupsion si dëshmitar, ku do të pyetet për dosjen “Partizani”.
Gjykata pasi ka dëgjuar kërkesën për prova të palëve, ka vendosur të pranojë provat shkresore, dhe po ashtu ka pranuar që të pyetën si dëshmitar ata që janë listuar në kërkesën e prokurorisë dhe ata që ka kërkuar kreu i PD.
Një nga dëshmitarët që Berisha ka kërkuar, është edhe kryeministri Edi Rama, kërkesë që Gjykata e ka pranuar.
Kryeministri do të merret në pyetje për çështjen e privatizimit, ndërsa në atë kohë ka qenë kryetar i bashkisë së Tiranës.
Thirrja e Ramës është kërkuar nga avokatët e të pandehurve, që pretendojnë se është pikërisht ai që ka bërë ndryshimin e destinacionit të klubit sportiv Partizani, çështje për të cilën nuk është pyetur asnjëherë, në një kohë që të pandehur janë marrë Berisha, dhëndri i tij Malltezi dhe disa persona të tjerë.
Dosja për aferën Partizani kaloi për gjykim më 19 maj. Berisha do të gjykohet për akuzën e korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë pasi akuzohet se, në cilësinë e kryeministrit, ka ndërmarrë veprime konkrete në miratim ligjesh dhe aktesh nënligjore, ku përfitues ishte edhe dhëndri i tij.
Edhe Jamarbër Malltezi është nën akuzë për korrupsion por edhe për pastrim parash. Sipas SPAK, ai ka përfituar të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij.
Ortaku i Malltezit, Fatmir Bektashi akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash, ndërsa trashëgimtari i tokës Xhimi Begeja dhe financierja Andia Pustina, që merrej me punët financiare dhe ligjore të kompanisë “Homeplan”, akuzohen për pastrim parash. Po ashtu, në gjyq për pastrim parash janë edhe tre kompanitë “Kontakt”, “Homeplan” dhe “Studio Pustina”.










