Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka reaguar ashpër përmes një postimi publik në rrjetet sociale, duke hedhur akuza të drejtpërdrejta ndaj kryeministrit Edi Rama lidhur me zhvillimet politike të muajit mars dhe çështjen e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Në deklaratën e tij, Këlliçi thekson se kreu i qeverisë “sillet sikur 12 marsi nuk ka ndodhur”, duke iu referuar mbrojtjes së Ballukut në Kuvend, për të cilën opozita ka ngritur akuza. Sipas tij, deklaratat e Ramës për barazi para ligjit janë kontradiktore me veprimet e mëparshme.
“Edi Rama vazhdon të sillet sikur më 12 mars të mos ketë ndodhur asgjë, ose sikur shqiptarët, edhe ata të diasporës, nuk kanë kujtesë. Para tyre sot tha se në Shqipëri s’ka paprekshmëri dhe ka barazi para ligjit. Këto janë vetëm fjalë,” shprehet Këlliçi.
Reagimi
Edi Rama vazhdon të sillet sikur me 12 mars të mos ketë ndodhur asgjë, ose sikur shqiptarët edhe ata të diasporës nuk kanë kujtesë. Para tyre sot tha se në Shqipëri s’ka paprekshmëri dhe ka barazi para ligjit! Këto janë vetëm fjalë që mund t’i nxjerrë nga goja një njeri i paturp!
Fakt është se një muaj e 2 ditë më parë, me 12 Mars, Edi Rama me 82 kartonat e tij në Kuvend shpalli para qytetarëve se ai, Balluku dhe bashkëpunëtorët e tij të afërt, janë të praprekshëm, janë mbi ligjin dhe drejtësia nuk mund të veprojë mbi ta.
Por, pasi ke mbrojtur aferat korruptive me votë në Parlament, dhe pasi ke ngrirë negociatat si pasojë e këtij akti, nuk e ke për gjë të gënjesh e të tallesh me shqiptarët këtu dhe ata të diasporës.
Edi Rama duhet larguar sot!
Ai dhe bashkëpunetorët e tij s’mund të kenë imunitet, duhet të hetohen e të përballen me drejtësinë për abuzimet me miliarda euro.
Kjo e bën Shqipërinë europiane.
Këtë kërkojmë çdo ditë e do ta theksojmë të premten me 17 prill në bashkimin tonë në bulevard.








