Kreu i PD-së ishte këtë të hënë në SPAK për të zbatuar masën “detyrim paraqitje” lidhur me hetimet për privatizimin e ish-kompleksit “Partizani”.
Berisha i pyetur nga gazetarët nëse do jetë në seancë gjyqësore në rast se thirret kryeministri Edi Rama për t’u pyetur, kryedemokrati u shpreh se është i gatshëm për çdo ballafaqim, duke sfiduar Ramën për praninë e kamerave.
Por Berisha, shton se Rama nuk vjen dot në një seancë të tillë, pasi prokurorët dhe gjykatësit i shumëzon me zero.
Berisha: Po më thirri gjykata do shkoj me kënaqësi. Le të vijë po të dojë. Të jetë me kamera ta shohin shqiptarët. Po nuk vjen ai. Këta i shumëzon me zero, i ka si ushtarë. Nuk më kanë thirrur, por po të më thërrasin do shkoj”, u shpreh ai.
Berisha tha se Edi Rama duhet të merret i pandehur për dosjen “Partizani”.
Ai pretendoi se një pjesë e konsiderueshme e territorit të klubit është shndërruar në zonë urbane ndërtimi pa miratimin e pronarëve, duke përfituar sipas tij vëllai i kryeministrit Rama, Olsi Rama.
Berisha tha se “Rama nuk zbardhi vendimin e gjykatës kur mori vesh që një nga pronaret ishte Jamabër Malltezi”.
“Sa për dijeni, Edi Rama është kërkuar nga të akuzuarit e dosjes që në fillim të vijë jo dëshmitar, por në ndjekje penale. Pse? Sepse Edi Rama, një pjesë të mirë të territorit të klubit Partizani, e kishte shndërruar në një zonë urbane ndërtimi pa asnjë kërkesë të pronarëve, pa asnjë kërkesë të askujt, përveçse probabilist të peshkaqenit Olsi Rama, i cili kishte vendosur të bëhej miliarder në tokën e tjetrit. Dhe Edi Rama e ka zonuar atë në një kohë kur ajo as nuk u ishte kthyer pronarëve dhe as nuk kishin bërë asnjë kërkesë. Meqë është thënë se është Berisha ai që ka firmosur zonimin, një histori turpi, kjo është e vërteta. Dhe është thirrur të pyetet Edi Rama. Mbrapa Edi Rama dha lejet e ndërtimit tek klubi Partizani. Më vonë, ky e merr vesh se një nga pronarët që ka marrë tokë aty dhe ishte bashkëndërtues, ishte Jamarbër Malltezi. Dhe tani, pavarësisht se ishte dhënë leja, ky e mbante lejen e ndërtimit, nuk e zbardh”, deklaroi Berisha.
Po ashtu, ai tha se Edi Rama u gjobit me 320 mijë euro pasi nuk zbatoi vendimin e gjykatës për të zbardhur vendimin, para të cilat, sipas liderit demokrat, Rama i pagoi nga bashkia dhe jo nga xhepi i tij.
“Gjykata e urdhëron ta zbardhë lejen e ndërtimit. Ky nuk zbaton vendimin e gjykatës dhe pas vendimit të gjykatës, pronarët fillojnë zhvillimin e zonës. Edi Rama dërgon inspektoratin e tij dhe e bllokon punimin për shumë kohë. Gjykata e dënon Edi Ramën me 320 mijë euro dhe ky i paguan nga xhepi i bashkisë për dëmin që u kishte krijuar. Pra, Edi Rama është për t’u ndjekur penalisht për këto”, tha Berisha.










