Kryeministri sqaron në fjalën e mbajtur në Kuvend, kritikat e tij për kandidatin fitues të garës për President në SHBA, Donald Trump.
Kryeministri Rama i është përgjigjur sot kritikave të opozitës dhe medias, lidhur me atë çfarë tha muaj më parë për kandidatin fitues të republikanëve, Donald Trump. Rama i ka cilësuar një tufë karangjollësh, ata që e kanë sulmuar duke kujtuar se janë po ata, të cilët e patën sulmuar, kur foli për Kosovën, po ata që e sulmuan kur foli për Çështjen Çame, Ligjin e Luftës, për Himarën e kur foli kundër Trump, sepse ky i fundit ishte deklaruar kundër Kosovës, myslimanëve dhe emigrantëve.
Deklarata e Ramës:
“Nuk është hera e parë që turren tufa ndaj meje bashkë me portalet e tyre. Unë flas për Kosovën dhe karangjollët hidhen e më thonë se po bëj lojën e shkjaut… . Unë flas për Ligjin e Luftës, Çështjen Çame, Himarën dhe hidhen e thonë se po keqpërdor patriotizmin … . Unë flas për një kandidat për President të SHBA-së, i cili kishte folur kundër kosovarëve, myslimanëve e emigrantëve. Karangjollët si fillim nuk flasin se janë të zënë në konventën e kandidates tjetër, atë demokrate… e pastaj dalin e thonë se paskam sulmuar një president. Bëni si çunat e lagjes që i ka dalë vëllai i madh nga burgu dhe thonë: shiheni tashti ça do bëjmë ne…
Do të jem ky që jam dhe nuk udhëhiqem në fjalët e mija, zgjedhjet e mija dhe në veprën time nga asgjë tjetër përveçse dinjitetit të Shqipërisë që kam nderin e privilegjin të drejtoj si kryeministër. Nga dinjiteti i këtij vendi që mund të jetë i varfër por s’ka pse të jetë në gjunjë për padrejtësitë që i janë bërë në të shkuarën apo për ato që mund t’i bëhen sot. Nuk ka pse të mos ketë lirinë të thotë që duhet, kur do duhet e kudo që duhet.”