Procedura e tenderit për ndërtimin e portit të ri tregtar në Porto Romano është anuluar, pasi kompania e vetme e mbetur në garë nuk paraqiti ofertë financiare.
Tenderi kishte një vlerë të parashikuar prej rreth 400 milionë eurosh dhe synonte ndërtimin e portit të ri tregtar në Porto Romano, një projekt i rëndësishëm për infrastrukturën portuale dhe zhvillimin ekonomik të vendit.
Vendimi për pezullimin vjen pas kërkesës dhe instimit të vazhdueshëm të SHBA-ve. Kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë në Tiranë, Grant Van Cleeve, pak ditë më parë adresoi një letër publike për Edi Ramën dhe titullarë të lartë qeveritarë, në lidhje me tenderin e Porto Romanos.
Van Cleeve e konsideron këtë projekt si një vendim që merret një herë në 100 vjet dhe kërkon shtyrjen e garës pasi sipas tij projekti ekzistues i heq Shqipërisë shansin të jetë konkuruese në rajon.
Një muaj pasi qeveria shqiptare do të autorizonte kompaninë hollandeze “Royal Haskoning DHV” për të realizuar të gjithë procedurat, në korrik 2024 Autoriteti Portual Durrës do të hapte tenderin me procedurë të kufizuar me fond limit 39,3 miliardë lekë ose 393 milionë euro për ndërtimin e portit të ri në Porto Romano, faza 1. Tenderi do të anulohej pasi nuk do të kishte asnjë ofertë të volitshme.
Në fund të dhjetorit 2024, Autoriteti Portual do të rihapte tenderin, por gara me dy faza do të shoqërohej me ankesa dhe kundërshtime nga konkurrentët ndërkombëtarë për shkak të skualifikimeve nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave.
Skualifikimet e kompanive me reputacion ndërkombëtar kanë ngritur ndryshime për garë të paracaktuar.
Në fazën e parë është skualifikuar kompania “Jan De Nul nv”, e cila ka bërë ankesë pasi mungesa e një dokumentacioni për projektet që ka realizuar, nuk mund të jetë pretekst për një kompani që ka realizuar projekte ndërkombëtare të afirmuara.
Problemi më i madh është fakti se Komisioni i Vlerësimit të Ofertave të Autoritetit Portual ka refuzuar ta shqyrtojë ankesën sepse sipas ligjit për të shqyrtuar një ankesë duhet paguar 0,5% e vlerës së tenderit, pra konsorciumi i përfaqësuar nga “Jan De Nul nv” duhet të paguante 2 milionë euro për t’iu dëgjuar ankesa. Ankesa është refuzuar edhe nga Komisioni i Prokurimit Publik, që ishte nën drejtimin e personit të pandehur nga SPAK, Jonaid Myzyri, tashmë i pezulluar nga detyra. Ky i fundit nuk e ka pranuar ankesën, pavarësisht se kompania ka ngritur problemin se një pagesë e tillë brenda 2 ditësh kërkon kohë për miratime dhe sipas kompanisë, ajo ka qenë në dijeni për ta bërë këtë pagesë pas fazës së kualifikimit dhe jo në fazën parakualifikuese.
Sipas ekspertit Zef Preçi, kuadri ligjor duhet respektuar ashtu siç është, por nuk duhen anashkaluar ankesat.
“Është e vërtetë ajo që thoni ju që është një shumë e madhe, por ajo zhbllokohet pas shqyrtimit të ankesës. Kjo nuk do të thotë që Komisioni i Prokurimit Publik dhe Agjencia e Prokurimit Publik dhe Shërbimet Inteligjente të mos verifikojnë motivet e ankesës dhe të mos marrin vendime”, deklaroi eksperti Preçi për rastin e skualifikimit.
Në fazën e dytë të tenderit kanë kaluar kompania hollandeze “Van Oord Dredging and Marine Contractors B.V.” dhe një kompani tjetër, e cila ashtu si kompania franceze është skualifikuar me pretekstin se nuk kishte bërë ekuivalentimin e licencave, ndërkohë që hollandezët pretendojnë se kjo do të realizohej para nënshkrimit të kontratës në rast të fitimit të tenderit.
Kompania hollandeze nuk është mjaftuar me kaq, por ka dërguar letër në Kryeministri, te Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, te Autoriteti Portual i Durrësit, si dhe kanë vënë në dijeni ambasadorin hollandez në Shqipëri për çështjen e tenderit.
Skualifikimi i konkurrencës dhe lënia deri në fund të garës të vetëm një kompanie “Archirodon Construction (Overseas) Company Limited”, duke e bërë automatikisht fituese, ka ngritur pikëpyetje për pronësinë dhe transparencën që kërkojnë projekte të infrastrukturave kritike.
Pikëpyetjet për kompanitë e lidhura më parë me kompani apo entitete ruse të sansksionuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Europian dhe Britania e Madhe do të lindnin me kompanitë në fazën e dytë të tenderit për portin e ri.
Më 4 prill 2025, zv.kryeministrja Balluku do të publikonte në faqen zyrtare të platformës “Meta” (Facebook) se në fazën e dytë për ndërtimin e portit të ri kishin kaluar dy kompani, hollandezët “Van Oord Dredging and Marine Contractors b.v” dhe kompania greke me seli në Hollandë “Archirodon Construction (Overseas) Company Limited”.
Por siç e përmendëm më sipër, hollandezët do të skualifikoheshin dhe në garë do të ngelej kompania “Archirodon”, e cila në fund të janarit 2026 do të shpallet automatikisht fituese si kompania e vetme e ngelur në garë.
Publikimi i emrave të kompanisë nga zv.kryeministrja Balluku ngre probleme me transparencën sepse thuhet se kompania është greke me seli në Hollandë, ndërkohë që kompania e paraqitur për tenderin e ka degën në Qipro. Ky vend njihet për përdorimin e strukturave offshore, të cilat, në raste të ndryshme ndërkombëtare janë përdorur edhe nga entitete të sanksionuara, ndërsa identifikimi i pronarëve fundorë kërkon nivele më të larta verifikimi.
kompania “Archirodon Construction (Overseas) Company Limited” nuk është në Hollandë, por e ka degën në Qipro.
Struktura korporative e kompanisë së përfshirë në projekt shtrihet në Qipro, ku në të kaluarën kanë figuruar edhe individë me role drejtuese ose administrative që kanë pasur lidhje me kompani dhe entitete ruse të sanksionuara nga Bashkimi Europian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar. Ndonëse nuk përbëjnë provë shkeljeje ligjore, e vendosin projektin në qendër të nevojës për transparencë të shtuar dhe verifikim të thelluar.
Sipas të dhënave publike, kompania qipriote “CYMANCO SERVICES LIMITED” paraqitet në dokumentet zyrtare të Regjistrit të Kompanive qipriote si sekretare e kompanisë që ka fituar tenderin për ndërtimin e portit të ri në Durrës. Ky rol sipas ligjit qipriot është formal dhe ligjor, nuk nënkupton pronësi apo kontroll ekonomik mbi kompaninë, por përfshin akses të plotë në strukturën ligjore dhe funksionimin administrativ të saj.
Të dhënat publike tregojnë se Cymanco Services Limited ka vepruar si sekretare korporative për kompani ku Albert Avdolyan rezulton i regjistruar si drejtor ose figurë e lidhur. Avdolyan është oligark rus i përfshirë në listën e sanksioneve të Bashkimit Europian në shkurt 2025.
Në disa raportime investigative ndërkombëtare që dokumentojnë skema të dyshuara korrupsioni dhe devijimi fondesh, ku përfshihen oligarkë ukrainas me lidhje të forta ruse del “CYMANCO SERVICES LIMITED”. Sipas këtyre burimeve, CYMANCO shfaqet në zinxhirë administrativë dhe ligjor të përdorur në struktura offshore, të lidhura me figura si Dmytro Firtash, i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për aktivitete të lidhura me Rusinë, përfshirë marrëdhënie me krimin e organizuar dhe mbështetje të ndikimit rus në Ukrainë, si edhe Mykola Martynenko, ish-deputet ukrainas i hetuar në Zvicër dhe Ukrainë për përvetësim fondesh, ryshfet dhe pastrim parash.
gijotina.com/









