Kryedemokrati Sali Berisha ka vijuar fjalën e tij edhe pse kryeparlamentari Niko Peleshi ia mohoi fjalën në Kuvend gjatë seancës së sotme, ku po votohen ndryshimet qeveritare në kabinetin e Edi Ramës.
Berisha i kujtoi mazhorancës socialiste se do votojnë kokëvarur që Belinda Ballukut t’i hiqet imuniteti dhe të arrestohet me kërkesë të SPAK për aferat korruptive që e ngarkojnë ish-zëvendëskryeministren duke rrezikuar 35 vite burg.
‘Do votoni kokëvarur që Lubia të shkojë në burg! Koha e diktatorëve ka ikur, shqiptarët janë zgjuar’, theksoi Berisha gjatë fjalës së tij pa mikrofon nga foltorja e Kuvendit.
“Do i shkosh në burg Lubisë apo jo ti Klos. Do i bësh vizitë apo po pret t’i shkojë dhe Rama pas. Bën sikur nuk dëgjon. Po të pyes do i shkosh në qeli. Forcë në botë që ta ndalojë atë nuk ka. Do e shihni, u them unë ju.
Prisni, zbatoni urdhra, por u garantoj se do votoni kokëvarur që ajo të shkojë në burg. Dhe pastaj edhe të tjerët.
A e shihni çfarë ndodh me Ajatollahun apo jo? Koha e diktatorëve ka ikur. Shqiptarët janë zgjuar, shqiptarët shohin diktatorët të bien njëri pas tjetrit. Mendoni se do durojnë Edi Ramën? Jo, koha e tij ka marrë fund. Koha juaj ka marrë fund. Vendi juaj është atje ku shkojnë kriminelët. Histeri, histeri politike duartrokitja juaj. Po shihni se si do dalë kjo duartrokitje. Prisni, prisni!”, tha Berisha.








