Ish-deputeti Ervin Salianji nuk i fsheh kritikat as për protestën e fundit që degjeneroi në goditjen me molotovë ndaj vilës së Enver Hoxhës, duke rrezikuar jetën e artistëve.
Salianji thotë se kupola drejtuese e Partisë Demokratike nuk e ka një strategji të qartë se si do ta rrëzojë Edi Ramën dhe se si do të vijë në pushtet. Protestën me marshim në gjithë qendrën e Tiranës, Salianji e quajti një “ecje të darkës”, duke theksuar se ishte një shpërdorim i sakrificës së mijëra demokratëve.
Në intervistën për emisionin “Sot Live në Shqipëri”, ai thotë se kjo lloj proteste me marshim u përdor nga PD për të kamufluar numrat. Ai thotë se protesta duhej të ishte përqendruar te Kryeministria, apo te Ministria e Brendshme dhe te ajo e infrastrukturës, por xhiroja nëpër rrugët e Tiranës, për Ervin Salianjin tregon qartë që lidershipi i PD ka një paqartësi strategjike.
“E kisha bërë ecjen paradite, kjo ishte ecja e darkës. Nuk e kuptova qëllimin, kuptova që nuk kishte strategji. Ishte ecje pasditesh, ishte shpërdorim i sakrificës së mijëra demokratëve që vijnë nga çdo cep për të protestuar dhe për të shprehur pakënaqësinë e tyre në raport me keqqeverisjen, ndërkohë lidershipi i PD e përdori për të bërë ecje. Nuk i sjell gjë të keq shoqërisë, por as efektet e duhura për qytetarët për të bërë presionin e duhur dhe për të larguar Edi Ramën. Lidershipi i PD duke parë që ka arrit prishtmëritë në çdo protestë, duke thënë që çdo rrëzohet këtë javë, ka një lloj demotovimi nga qytetarët, ecja ishte një lloj kamuflimi i numrave. Mund të ishte kjo strategjia. Nëse do protestohej tek qendra e të keqes është kryeministria, nëse do kishte një institucion tjetër është ministria e Brendshme apo infrastruktura, për të cilën nisën protestat dhe për të cilën Rama po bën lloj mbrojtje politike. Lidershipi i PD ka një paqartësi strategjike”, tha Salianji.










