Një përleshje e dhunshme ka ndodhur mes dy grupeve kriminale në Ranzanico, Itali, ku si rezultat është plagosur me thikë një shtetasi shqiptar 30-vjeçar, ndërsa janë arrestuar 4 persona.
Sipas mediave të huaja, ngjarja ndodhi pranë barit Ignazzi, në hyrje të rezidencës “La Filanda”, në ish-rrugën shtetërore 42 pranë liqenit Endine. Përleshja përfshiu përdorimin e thikave, shisheve dhe sendeve të forta. Shqiptari u godit me thikë midis bazës së qafës dhe fytit dhe ndodhet në rrezik jete në spitalin Papa Giovanni XXIII.
Autor i sulmit është identifikuar një 26-vjeçar italian, i varur nga droga, i cili mbeti gjithashtu i plagosur pas koke nga sulmi i shqiptarëve me shishe qelqi dhe u dërgua në spitalin Humanitas Gavazzeni.
Sipas autoriteteve italiane, pista kryesore e ngjarjes dyshohet të jetë e lidhur me kontrollin e territorit dhe trafikimin e drogës. Karabinierët gjetën dhe sekuestruan disa doza kokaine jashtë lokalit, burimi i të cilave mbetet i paqartë.
Të gjithë pjesëmarrësit në përleshje janë arrestuar dhe gjatë mbrëmjes u kryen kontrolle në banesat e tyre nga policia lokale.









