Ka përfunduar mbledhja e Kryesisë së Partisë Socialiste, e thirrur nga Edi Rama, mëngjesin e kësaj të marte.
Mbledhja nisi në orën 9:00 dhe zgjati vetëm 30 minuta, ndërsa janë zbardhur dhe porositë dhe diskutimet që janë bërë mes socialistëve.
Sipas raportimeve në media, fokusi kryesor ishte organizimi i brendshëm i partisë dhe intensifikimi i angazhimit në terren. Gjatë diskutimeve Rama ka kërkuar nisjen e takimeve me strukturat dhe mbështetësit në terren.
Sa i përket forumit më të gjerë drejtues, nuk u vendos një datë për mbajtjen e Asamblesë Kombëtare. Sakaq mësohet se e pranishme në mbeldhje ka qënë dhe Belinda Balluku.
Kjo mbledhje vjen pas mbledhjes së zgjeruar të Grupit të PS të mbajtur pak ditë më parë dhe pas ndryshimeve të forta në qeveri.
Me ndryshimet e fundit, kryeministri shkarkoi Belinda Ballukun nga pozicioni i zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës e Energjitikës.
Balluku është nën hetim për korrupsion dhe SPAK ka kërkuar arrestimin e saj, ndërkohë që Këshilli i Mandateve ende nuk ka marrë një vendim për imunitetin e saj.
Opozita ka kërkuar vazhdimisht heqjen e imunitetit të Ballukut dhe të hënën dorëzoi edhe raportin në Kuvend të anëtarëve të Këshillit të Mandateve, në mënyrë që ish-zv/kryeministrja të përballet si qytetare e thjeshtë me drejtësinë.






