Gjykata e Posaçme ka lënë në burg Durim Bamin i cili u ekstradua të enjten nga Dubai drejt vendit tonë. Durim Bami nuk është paraqitur në seancë, por ka zgjedhur të përfaqësohet nga avokati i i tij mbrojtës Ilir Murati. Ky i fundit i ka kërkuar Gjykatës një masë më të lehtë si ajo e arrestit në shtëpi, por togat e zeza rrëzuan kërkesën.
Organi i akuzës SPAK përfaqësohej nga Prokurori Altin Dumani. Ndërkohë edhe në këtë seancë për masë sigurie avokati Ilir Murati ka ngritur shqetësimin para trupës gjykuese të kryesuar nga gjyqtari Erion Çela, se klientit të tij po i rrezikohet jeta në burgun 313.
Kërkesa e tij, e bërë një ditë më parë do të shqyrtohet nga Burgjet në bashkëpunim me prokurorinë e SPAK për transferimin e tij në një burg tjetër.
Bami ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Posaçme i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale, ose grup i strukturuar kriminal”.
Ai akuzohet se kishte kërkuar eliminimin e ish-deputetit socialist Arben Ndoka, ndërsa edhe ky i fundit dhe anëtarë të tjerë të grupeve kriminale e donin Bamin të vdekur. Ervis Martinaj kishte ofruar 1 milion euro për eliminimin e tij.
Ndërsa në shkurt 2021, Bami bashkë me Endrit Doklen dhe Marklen Hakën planifikoi vrasjen e Tori Xhecukës dhe Erigers Mihasit, mik i Ervis Martinaj i cili u vra në Tiranë.
Sipas SPAK, Durim Bami drejtonte e financonte një grup që kultivonte kanabis në Nikël dhe Bubq gjatë dhjetor 2019–korrik 2020 dhe sërish në shtator 2020, duke administruar të gjithë aktivitetin. Në ndihmë i vinte ish-efektivi i RENEA-s, Altin Morina (i arrestuar) dhe persona të tjerë të paidentifikuar, që jepnin informacione të brendshme dhe shmangnin kontrollet policore.








