Durim Bami, i arrestuar në Dubai për llogari të autoriteteve shqiptare, pritet të ekstradohet sot nga Dubai.
Bami, 47 vjeç, banues në Nikël, Krujë u arrestua në kuadër të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, për lokalizimin, kapjen dhe finalizimin e procedurave të ekstradimit të shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
GJKKO, më datë 15.05.2024, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale, ose grup i strukturuar kriminal”.
Bami akuzohet se kishte kërkuar eliminimin e ish-deputetit socialist Arben Ndoka, ndërsa edhe ky i fundit dhe anëtarë të tjerë të grupeve kriminale e donin 45-vjeçarin të vdekur. Ervis Martinaj kishte ofruar 1 milion euro për eliminimin e tij.
Ndërsa në shkurt 2021, Bami bashkë me Endrit Doklen dhe Marklen Hakën planifikoi vrasjen e Tori Xhecukës dhe Erigers Mihasit, mik i Ervis Martinaj i cili u vra në Tiranë.
Sipas SPAK, Durim Bami drejtonte e financonte një grup që kultivonte kanabis në Nikël dhe Bubq gjatë dhjetor 2019–korrik 2020 dhe sërish në shtator 2020, duke administruar të gjithë aktivitetin. Në ndihmë i vinte ish-efektivi i RENEA-s, Altin Morina (i arrestuar) dhe persona të tjerë të paidentifikuar, që jepnin informacione të brendshme dhe shmangnin kontrollet policore.
Njoftimi:
Policia e Shtetit/Vijon operacioni ndërkombëtar i koduar “The Ëanted”, për lokalizimin, kapjen dhe finalizimin e procedurave të ekstradimit të shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Pritet finalizimi i procedurave të ekstradimit gjatë ditës së sotme, nga Dubai, në Shqipëri, të një shtetasi të shumëkërkuar.
Në vijim të bashkëpunimit të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, ditën e sotme, pritet të ekstradohet nga Dubai, Emiratet e Bashkuara Arabe, në Shqipëri, shtetasi D. B., 47 vjeç, banues në Nikël, Krujë.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, më datë 15.05.2024, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale, ose grup i strukturuar kriminal”.









