Nga Julian Hoxhaj
“Dhuro Dashuri “ e nisi këtë javë duke iu gjendur pranë familjes Hajredini në Elbasan, e cila jeton në kushte mjaft të vështira. Një nënë me tre fëmijë jetimë, prej vitesh gjendet në vështirësi ekonomike, për shkak të ndarjes së parakohshme nga jeta të bashkëshortit të saj.
Minushe Hajredini, pas vdekjes së bashkëshortit, u përballë me pamundësinë për t’ia dalë. E detyruar të mos shkojë në punë, për shkak të kujdesit për fëmijët e mitur, Minushe Hajredini përballet me varfëri dhe skamje cdo ditë.
Nisma Dhuro Dashuri, këtë fillim jave ka shkuar pranë kësaj familje për të dhuruar disa ndihma ushqimore, për të lehtësuar disi jetesën e tre fëmijëve jetimë dhe nënës së tyre. Tashmë e vetme, ajo duhet të jetë edhe baba edhe nënë për këta tre fëmijë të vegjel dhe të pa mbrojtur.
Jeton vetëm me 32 mijë lekë pension social. “Për kryefamiljaren Minushe Hajredini, brenga vijon të mbetet e njëjtë. Ajo e ka tepër të vështirë të rrisë të vegjëlit e saj e vetme, në një banesë që nuk plotëson kushtet për jetesë. Pavarësisht kësaj ajo ka vetëm një kërkesë, të ketë vetëm një dritë që të mund të shoh natën fytyrat e të vegjëlve të saj.
Për shkak të pamundësive financiare, Minushe Hajredinit, OSHEE i ka prerë dhe energjinë elektrike, ndërsa për rilidhjen e saj OSHEE kërkon, lidhjen e aktmarrëveshjes. Pasi kemi marrë falenderime nga katër anëtarët e familjes Hajredini, largohemi me shpresën se e nesërmja do të ketë rezervuar diçka më të mirë për ta.
Këta ëngjëj meritojnë të rriten shëndetshëm si gjithë bashkëmoshatarët e tyre dhe jo në këtë ndërtesë, e cila vijon t’i mbajë brenda me mundim, ndërsa konsumimi i tre vakteve me ushqim konsiderohet luks për ta.