Frikësim me tritol, korrupsion, resorte me para të dyshimta, tendera për kompanitë e politikanëve! Ky realitet i zymtë që sundon dy vitet e fundit në Orikum-Radhimë. Është njëra prej zonave më të bukura të bregdetit të Jugut. Aty ku paralelisht me Lungomaren që po zgjatet deri tek dera e Portit të Jahteve të Artan Dulakut, vazhdon prishja e bizneseve vendase dhe zaptimi territorit me resorte dhe objekte hotelerie.
Operacioni i drejtuar nga kryeministri Rama ka pjesën e hekurt në terren, ku shtypen të vegjlit me forcën e IKMT-së, të Policisë së Shtetit dhe të bandave.

Ky është një hotel trekatësh i hedhur në erë me tritol në gusht të verës së vitit 2025.
Qëllimi ishte të terrorizoheshin bizneset që të mos kundërshtojnë ngritjen e hoteleve që autorizohen me firmën kryeministrit Edi Rama në tokat e tyre. Madje në këtë valë prishen edhe objekte me leje të takapaguesve të rregullt.
Pjesë e këtyre lëvizjeve është KKT, ku Edi Rama firmos lejet e resorteve për oligarkët dhe bizneset që pastrojnë para të pista.
Vetëm në verën e kaluar u dha drita jeshile për ndërtimin e dhjetëra objekteve në bregdetin e Radhimës. Dhe vendimmarrja e Ramës është në akord me oligarkët. Duke qenë në brendësi të planeve të qeverisë, oligarku Artan Dulaku bleu nga biznesmenët italianë portin e jahteve në Orikum dhe aplikoi m shpejtësi për të ndërtuar pallate në territorin e Orikumit dhe të Radhimës. Disa në emrin e vet, disa të tjera nga njerëz të lidhur me të.
Në dy mbledhje në maj dhe korrik 2025, KKT kaloi me shpejtësi këto autorizime:
-Leje Ndërtimi për objektin: “Struktura hotelerie 1, 2, 3, 9, 11, 13 kate dhe rezidenciale 1, 2, 13, 15 kate mbi tokë, me 1 kat parkim nëntokë”, me vendndodhje në Orikum, Bashkia Vlorë, në favor të “Marina Orikum” sh.p.k. Kjo është shoqëria e Artan Dulakut.
Leje Ndërtimi për objektin: “Struktura hotelerie 1, 2, 3, 9, 11, 13 kate dhe rezidenciale 1, 2, 13, 15 kate mbi tokë me 1 kat parkim nëntokë”, me vendndodhje në Orikum, Bashkia Vlorë, gjithashtu në emër të “Marina Orikum” sh.p.k.
Pra, kryeministri prish objektet me 2 dhe 3 kate dhe jep leje për 15 katësha për mikun e tij Dulakun. Ndërkohë, Lungomare shkon tek këto vepra që po ngre Dulaku për të rritur vlerën e apartamenteve të tij. Zhvillimi i projekteve publike sjell të mira vetëm për oligarkun, ndërsa bizneset lokale janë të dënuara me mbyllje.
Ndërkaq, mafia po hedh rrënjë duke pastruar paratë në këto resorte. Në këtë kohë u dha edhe një leje e dyshimtë ndërtimi për objektin: “Struktura shërbimi, banimi dhe hotelerie 1-2-3-9-10 kate mbitokë, me 1-2 kate parkimi dhe shërbimi nëntokë”, me vendndodhje në Radhimë, Bashkia Vlorë. Subjekti zhvillues është shoqëria “Klint 2021” sh.p.k. Kjo firmë është në pronësinë e Henri Meminajt dhe Loren Metushajt të dy me probleme penale në të kaluarën.

Kompania është hapur me kapital 100 lekë në vitin 2021 dhe, qysh atëherë, nuk ka asnjë lloj bilanci financiar të paraqitur në QKB. Jo vetëm kaq. Shoqëria rezulton e bllokuar nga Përmbarimi me kërkesë të Drejtorisë së Tatimeve, për shkak të detyrimeve të papaguara.

Kryeministri në Radhimë po ndan tokat turistike pikërisht me këta lloj biznesmenësh.
Në të njëjtën ditë, Rama ka dhënë leje ndërtimi për resortin “Ondee Hotel” – Strukturë me funksion hoteleri me 1, 2, 3, 4, dhe 5 kate mbi tokë dhe 2 kat nëntokë, me vendndodhje në Radhimë, Bashkia Vlorë, me subjekt zhvillues shoqërinë “Ulk Invest” sh.p.k. Kjo kompani është regjistruar në Francë në vitin 2023 nga Shqiprim Jakupaj me kapital 21172 376 lekë. Me kaq lekë nuk mund të bësh as një bodrum.
Bilanci i kompanisë është shumë modest, me vetëm 1 milion lekë fitim nga aktiviteti vjetor i vitit 2024.

Ndërkaq, në 15 gusht 2025, kryeministri ka dhënë një tjetër leje të dyshimtë për ndërtim në Radhimë. Në fakt, i është hapur drita jeshile pastrimit të parave të pista me një tjetër resort. Në Këshillin Kombëtar të Territorit dhe Ujit, më 25 qershor 2025, në pikën 11 të rendit të ditës është futur leja për resort e Ardit Krajës.
Leja e Ndërtimit për objektin sipas shkresës së përgatitur nga Sekretariati i KKT, është për kompleksin “Verde”. Bëhet fjalë për një numër godinash banimi dhe shërbimesh 2, 3, 4, 5 dhe 6 kate mbitokë dhe 1 kat nëntokë dhe pishinë, me vendndodhje në Radhimë, Bashkia Vlorë.

Sipas dokumenteve, subjekte zhvilluese janë shoqëritë “S.A.G” sh.p.k dhe “Future Enterprises and Investments” sh.p.k. Kjo e fundit është pronë e Ardit Krajës, bosit të bixhozit në Shqipëri.

Subjekt zhvillues i projektit të resortit deklaron vetëm humbje të mëdha. Në vitin 2024 humbja e deklaruar është 68447870 lekë dhe në vitin 2023 është llogaritur humbja zyrtare 79798410 lekë.
Ndërsa në vitin 2022, kompania e Ardit Krajës ka deklaruar humbjen -6 802 634,00 lekë dhe në vitin paraardhës 7 328 976,00 lekë.

Normalisht, që duke deklaruar humbje të tilla, sipas ligjit, kompania duhet të kishte kaluar në faliment, por kryeministri Rama i jep leje për një ndërtim gjigant në zemër të Rivierës.
Biznesmeni përfitues më vonë do të marrë ndonjë licencë kazinoje. Më 21 mars 2024, biznesmeni 50-vjeçar, Ardit Kraja është arrestuar në Kosovë. Ai është i njohur si një prej “bosëve” të lojërave të fatit në Shqipëri, ku ka qenë pronar i kompanisë “Superbast”.
Kraja është ndaluar në pikën kufitare në Vërmicë dhe pas verifikimit ka rezultuar se ndaj tij ishin lëshuar dy urdhër-arreste të lëshuara nga dy gjykata në Kosovë.
Më konkretisht nga Gjykata Themelore në Prizren dhe Gjykata Themelore në Mitrovicë për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Organizim i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”.
Pas ndalimit, ndaj biznesmenit Kraja, Gjykata e Mitrovicës vendosi urdhër-arresti për 48 orë deri në momentin kur të dalë para gjykatës për t’u njohur me masën e sigurisë.
Ardit Kraja, tek shtetasit e Kosovës, por jo vetëm, e jepte programin online, duke përfshirë linkun dhe kodet e operimit, dhe madje edhe investonte në bizneset e tyre. Nëse një lojtar fitonte, humbjen e merrte përsipër Kraja, ndërsa në rast se lojtarët humbisni, 60 përqind të fitimit e merrte Kraja.
Sipas këtyre burimeve, ky ka qenë njëri prej ofruesve të këtij shërbimi për bixhoz në Kosovë, i cili prej disa vitesh është i paligjshëm.
Ai është pronar dhe ortak në shumë firma. Telashe, kërcënime me biznesmenë tjerë të bixhozit, siç ishte Ervis Martinaj. Vite më parë në luftën për kontroll dhe territorit sa i përket lojërave të fatit në tokën shqiptare, biznesmeni Ardit Kraja u kërcënua nga Ervis Martinaj- një ish-oficer policie që u lidh me biznesin e bixhozit dhe ka kohë që është deklaruar i zhdukur. Pas tij, hov mori rivali i tij në këtë biznes, Ardit Kraja.
Projekti i zhvillimit të zonës ka kohë që është hartuar, por mbahej në sirtar nga Edi Rama. Pas hapit të tij si të breshkës fshihet zinxhiri i pazareve me lejet e ndërtimit.
Në vitin 2015, Banka për Zhvillim e Këshillit të Evropës (CEB) në kuadër të Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor (ËBIF) do t’i akordonte qeverisë shqiptare kredinë me vlerë 36.7 milionë Euro për projektin “Zhvillimi i Alpeve Shqiptare dhe Zonës Bregdetare”. Nga këto 28.7 milionë euro kredi ishin nga CEB, 1 milion Euro grant nga CEB Social Dividend Account, një kontribut 6 milionë Euro ishte nga Qeveria e Shqipërisë dhe bashkitë përfituese, 1 milion euro grant nga ËBIF për Masterplanin e Alpeve.
Parashikohej që dy të tretat e kostos së Programit do të investohen në zonën bregdetare të Jugut dhe një e treta në zonën e Alpeve Shqiptare.
Marrëveshja është firmosur në datë 21 Maj, 2015 dhe është ratifikuar nga Parlamenti në 2 Korrik 2015. Projekti, sipas marrëveshjes, duhet të fillonte nga puna në tremujorin e fundit të vitit 2015 dhe parashikohej të përfundonte në shtator 2019.
Në fakt, puna ka nisur shumë vonë. Më 27 shtator 2018 është zhvilluar tenderi dhe i është lidhur kontrata me studion greke THYMIO PAPAYANNIS AND ASSOCIATES INC-Dega në Tiranë.

Në vazhdim në 14 shkurt 2020, studioja greke do të merrte 540 milionë lekë për tenderin “Projektim për rikualifikimin e Zonës Bregdetare Vlorë – Radhimë – Orikum Loti III”. Për Lotin II dhe I, më 17 qershor 2019, kishte marrë respektivisht 245 milionë lekë dhe 239 milionë lekë.

Askush nuk i diskutoi me komunitetin këto projekte, që dalin nga sirtari bashkë me fadromat për të liruar vendin e oligarkëve të planifikuar në fshehtësi dhe të legalziuar në fund me firmat e KKT.

Ndarja e parave të marra me kredi vazhdon me tenderat. Kjo është pjesa tjetër e operacionit të Ramës në Radhimë, që favorizon oligarkët.
Një nga këto prokurime quhet “Transformimi urban në hapësira publike kryesore, Rajoni 4: Rigjenerim urban i fshatit Rradhimë, Vlorë”.
Pasi ka dhënë lejet për resorte, kryeministri përmes Fondit Shqiptar të Zhvillimit u ndërton rrugët e hoteleve. Fondi Limit për këtë projekt është 102,382,933 lekë pa TVSH. Tenderi është shpallur më 12 dhjetor 2025 dhe është mbyllur me shpejtësi më 29 dhjetor.

Pavarësisht se kriteri i vlerësimit është oferta ekonomikisht më e favorshme bazuar në çmim, fituesi është zgjedhur sipas porosive nga “lart”. Pra, qysh në fillim dyshimi ishte në ajër: Fitues i paracaktuar.
“Skualifikim i të gjithë operatorëve konkurrues perveç fituesit. Kusht: fituesi nuk është operatori me ofertën më të ulët”, me këtë përshkrim klasifikohet tenderi nga Open Data Albania. “Flamur i kuq” i përdorur certifikon riskun e korrupsionit.
Kompania “SHKEQIMI 07” shpk me pronar Shkëlqim Kapllanaj, vëllai i politikanit Agron Kapllanaj, ka dorëzuar ofertën me vlerë 65,000,000 lekë pa tvsh.

Por kishte propozime ekonomike konkurruese, që u skualifikuan. Për shembull “NDERTIMI” shpk ka prezantuar ofertën 64,075,843.93 lekë pa tvsh.

Gjithsesi, drejtori i FSHZH, Dritan Agolli ka vazhduar me shpalljen fitues të Kapllanajt, i cili është klient i vjetër i tij.

Agron Kapllanaj e ka nisur karrierën si kryetar i Komunës Qendër Mallakastër dhe në vitin 2015 u zgjodh nën siglën e Partisë Demokratike si kryetar i Bashkisë së Mallakastrës. Në vitin 2021, politikani kandidoi për deputet, por pa arritur të siguronte një mandat dhe më pas u bë një nga aktorët e angazhuar publikisht në krah të Lulzim Bashës. Kapllanaj u emërua nga Basha si kryetar i degës së PD-së në Mallakastër. Por e kaluara e Agron Kapllanajt është e errët.
Ai është një emër i njohur për drejtësinë italiane. Përtej ‘Adriatikut’ Kapllanaj ka një skedë me veprimtari kriminale, pasi ka qenë i dënuar edhe me burg. Një gjë të tillë e ka deklaruar vetë ish-kryetari i Bashkisë Mallakastër (2015-2019) në formularin e dekriminalizimit që ka dorëzuar në KQZ.
Kapllanaj rezulton i dënuar në Itali në vitin 2003 me 2 vite burg për vjedhje. Dënimi i tij është dhënë nga Gjykata e Firences. Por dënimi në Itali është vetëm maja e ajsbergut e asaj që kompromenton figurën e tij në politikë.
Agron Kapllanaj dhe vëllai i tij Shkëlqim Kapllanaj, përmes kompanisë së ndërtimit që ndodhet e regjistruar në emër të këtij të fundit, kanë përfituar afro 70 milionë euro tendera.
Ndërsa Agron Kapllanaj u zgjodh kryebashkiak i Partisë Demokratike, e kërkoi të bëhej deputet nën këtë sigël. Milionat që i jepnin zyrtarët e Ramës me tendera ishin edhe më të rëndësishme se sa mandati i deputetit. Kompania në emër të të vëllait apo njerëzve të tjerë të lidhur me të, rezultojnë nga përfitueset më të mëdha të fondeve publike, apo atyre që rëndomë janë quajtur tendera korruptiv. Vetëm nga procesi i Rindërtimit, kompania “Shkëlqimi 07” ka përfituar 12.5 milionë euro, ku numërohen 8 tendera të dhëna nga bashkitë e drejtuara nga “Rilindja”.
Pas tërmetit të vitit 2019, Qeveria vendosi t`i japë në tavolinë kompanisë “Shkëlqimi 07”, në emër të vëllait të Agron Kapllanajt, një ndër tenderat e parë të Rindërtimit. Bëhet fjalë për “Rikonstruksionin e objektit me 1-3 kate mbi tokë, të shkollës 9 – vjeçare, “Jashar Hoxha Paskuqan Bashkia Kamëz”. Ky tender u mbajt me urgjencë. Qeveria hapi procedurën në datën 17 mars të vitit 2020 dhe e mbylli dhjetë ditë më pas, në 27 mars 2020.
Tenderi u fitua nga “Shkëlqimi 07” dhe kompania tjetër e afërt me familjen Kapllanaj, “Grand Konstruksion” në bashkëpunim me dy kompani të tjera, “MODESTE” dhe “FLED”. Vlera e këtij tenderi ishte rreth 740 mijë euro. Në të njëjtën kohë, “Shkëlqimi 07”, gjithashtu nga programi i Rindërtimit përfiton edhe një kontratë nga Bashkia e Vorës.
Bëhet fjalë për tenderin me objekt: Rindërtimi i shkollës 9-vjeçare “Ahmetaq, Vorë” dhe “Rindërtimi i shkollës 9-vjeçare “Ramazan Subashi” Marikaj, Bashkia Vorë”. Ky tender, së bashku me atë të Kamzës, u hapën në të njëjtën ditë, pra në 17 mars 2020, dhe afati i dorëzimit të ofertave ishte e njëjta datë pra 27 mars 2020. Ndërsa kontrata mes qeverisë dhe “Shkëlqimi 07” u lidh në datën 9 qershor 2020. Në këtë tender, vlera e fituar nga kompania e Kapllanajt ishte 1.4 milionë euro.
Një tjetër tender me urgjencë, që fitoi “Shkëlqimi 07” nga paratë e Rindërtimit, ishte edhe ai me objekt: Rindërtimi i njësive të banimit në ndërtesa (pallat) në zonën e shpallur për zhvillim të detyruar, në njësitë administrative 4 e 8, zona “5 Maji” Bashkia Tiranë. “Hartim i projektit dhe zbatimi i punimeve për ndërtimin e godinës 20 në zonën zhvillimore “5 Maji”. Tenderi u shpall në datën 27 gusht të vitit 2020, pra në të njëjtën kohë “Shkëlqimi “07 po ndërtonte dhe shkollën në Kamëz, ndërsa mbajtja e tenderit u bë në datën 8 shtator 2020.
Ndërsa policia nxirrte me dhunë banorët e 5 Majit nga shtëpitë e tyre, makineritë e vëllait të Agron Kapllanajt kishin zbarkuar aty për të zbatuar këtë projekt.
Në datën 26 nëntor të vitit 2020, “Shkëlqimi 07” mori tenderin për projektin dhe ndërtimin e godinës 20 në lagjen “5 maji”. Ky tender, ishte dhe më i madhi që kompania e vëllait të Agron Kapllanajt, me vlerë 3.8 milionë euro. Tenderi iu dha kompanisë “Shkëlqimi 07” nga Erion Veliaj.
Në 14 maj 2021, vetëm pak javë pasi kishin përfunduar zgjedhjet e përgjithshme, ku Agron Kapllanaj kandidonte me duke humbur mandatin në qarkun e Fierit për Partinë Demokratike, qeveria i vjen si ngushëllim familjes Kapllanaj. Për këtë, bashkia socialiste e Kavajës drejtuar nga Redian Krali, i jep firmës “Shkëlqimi 07” tenderin “Rikonstruksioni i mjediseve në bashkëpronësi ose të përbashkëta në ndërtesa. Vlera e këtij tenderi ishte 3.4 milionë euro me TVSH.
Redian Krali firmosi edhe në 12 prill 2022 një tender me vlerë rreth 770 mijë eurosh, me objekt “Rindërtimi i stacionit zjarrfikës në Kavajë”. Edhe ky prokurim është shënuar me “Flamur të kuq”. Tenderi iu dha pa garë kompanisë së vëllait të Agron Kapllanajt dhe dy kompanive të tjera.
Një muaj pas tenderit për godinën e zjarrfikëses, në Kavajë Redian Krali firmosi sërish në favot të Kapllanajt. Më 20 maj 2022, “Shkëlqimi 07” mori tenderin me vlerë 1.4 milionë euro me objekt rikonstruksionin e godinës së Bordit të Kullimit.
Për dhuratën e fundvitit të vitit 2021 mendoi Bashkia e Shijakut. Tenderi në dhjetor 2021 për “Rindërtimin e objektit social kulturor, Pallati i Kulturës, Bashkia Shijak (Programi i Rindërtimit) e kishte vlerën 1.9 milionë euro. Sërish në favor të vëllait të Agron Kapllanajt, pa garë dhe me “Flamur të kuq”. Madje me ofertë sa 99% të vlerës së fondit limit.
Pas kësaj, Bashkia e Lushnjës me kryetare Eriselda Sefën, në vitin 2024, i jep tenderin e fundit në kuadër të Rindërtimit, kompanisë “Shkëlqimi 07”. Bëhet fjalë për “Rikonstruksionin e shkollës “Hysen Xheka” në Karbunarë. Vlera e këtij tenderi ishte 530 mijë euro, ndërsa nga gara u skualifikuan 29 kompani pjesëmarrëse. Eriselsa Sefa zgjodhi pikërisht kompaninë e vëllait të “opozitarit” Agron Kapllanaj.
Favorizimi është i dukshëm për “07”-n e vëllait të politikanit të Bashës, sidomos në tenderin e rregullimit të Radhimës. Kompania vështirë se e përballon këtë kontratë pa shtyrë afatin ose pa ulur cilësinë e punimeve. Konkretisht, më 12 nëntor 2025, e njëjta kompani ka marrë nga Bashkia Lushnjë tenderin me objekt “Asfaltim i rrugëve në territorin e Bashkisë Lushnje” me fond limit 49 997 122,00 lekë pa TVSH. Koëzgjatja e kontratës është 111 ditë, që do të thotë se “Shkëlqimi 07” është akoma duke kryer punimet në Lushnjë.

Paralelisht me këtë kontratë, më 5 nëntor 2025, nga Bashkia Dimal, Kapllanaj ka marrë tenderin “Rikonstruksion rrugësh me rërë bituminoze, rrugë lagje Poshnje “Velaj”, Allambrez dhe me asfalt rruga “Paqeruajtësit Poshnjë-Bashkia Dimal”. Edhe këtë punë firma nuk e ka dorëzuar akoma. Ndërsa më 15 janar 2026 do të shpallej fitues i tenderit nga Dritan Agolli i FSHZH për rrugët e Radhimës. Duke qenë nën trysninë e drejtorit Agolli, komisioni i vlerësimit duket se nuk e ka verifikuar kapacitetin e teknik të kompanisë së shpallur fituese.

Kjo është vetëm një pjesëz e operacionit të kryeministrit Rama në fshatin e vogël Radhimë të kapur nga kthetrat e korrupsionit.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.










