Policia e Kosovës ka arrestuar të martën shtetasin Arianit Sllamniku, i dyshuar për ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike, si dhe për eksperimente të kundërligjshme mjekësore dhe testim të paligjshëm të barnave.
Sipas mediave në Kosovë, Sllamniku dyshohet se u ka shitur disa personave ilaçe për kafshë, duke pretenduar se ato mund të shërbenin si trajtim për autizmin te fëmijët.
Me urdhër të Prokurorisë Themelore të Gjilan, i dyshuari është ndaluar për 48 orë, ndërsa hetimet për rastin vijojnë.
Ndërkohë, Policia e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve që kanë marrë shërbime apo konsultime nga Arianit Sllamniku dhe që mendojnë se mund të jenë dëmtuar, qoftë materialisht apo shëndetësisht, të paraqiten pranë Njësisë së Hetimeve Rajonale në Gjilan për intervistim.










